Shitja e barnave pa pullë fiskale në mënyrë online, të paautorizuara dhe pa recetën e mjekut ka tërhequr vëmendjen e Nard Ndokës, ish ministër i shëndetësisë.
Ai ka reaguar me një status në rrjetet sociale, si më poshtë:
Abuzim kërcënues me barnat online!
MSH-ja duhet të reagojë menjëherë.
Barnat pa pullë fiskale (ilaçet, medikamentet) kanë pushtuar rrjetet sociale, një fenomen që po kthehet në një kërcënim real për shëndetin e qytetarëve.
Barna të pakontrolluara, të parregjistruara e të pa çertifikuara po qarkullojnë lirshëm në tregun shqiptar.
Kompani fantazëm, nëpërmjet Postës Shqiptare apo private, të sjellin çdo ilaç/medikament që të del përpara në telefon.
Barna që nuk kanë asnjë efekt shërues, apo më keq akoma, që kanë efekte anësore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Agjensia Kombëtare e Barnave dhe Paisjeve Mjekësore duhet të ndërhyjë urgjentisht për të ndaluar shitjen e këtyre barnave të parregjistruar e çertifikuar.
Shëndeti publik është në dorën e spekulantëve që kanë zaptuar në mënyrë të dhunshme tregun e zi nëpërmjet rrjeteve sociale.
Të gjithëve na del “Farmacia virtuale” në telefon 30 herë në ditë, si shpëtim:
– për prostatën,
– stomakun,
– zorrën e trashë,
– mbipeshën,
– impotencën,
– veshin,
– aparate nga më të ndryshmit, etj.
Kjo situatë duhet të marrë fund, një abuzim vdekjeprurës me shëndetin e qytetarëve.
Zgjohuni autoritete shtetërore, që paguheni për të kontrolluar tregun dhe mbrojtur shëndetin e qytetarëve! Stop abuzimit dhe mashtrimit!

