Shenjtorët e mbajnë breroren për t’u mbrojtur nga të tjerët. Në librat e shenjtë thuhet se tjetri duhet mbajtur një shkop larg.
Robert Musil, në librin mbi budallallëkun, thotë: jo vetëm nuk të lejohet të lëvdosh veten, por as të ngulmosh të lëvdosh të tjerët. T’i thuash tjetrit në sy se qenka gjeni, apo shenjtor, është po aq e përbindëshme sa t’i thuash të njëjtën gjë vetes.
Po shoqëria jonë si i ka marrëdhëniet me këtë kod? Shumë nga ministrat tanë, në sy, me servilizëm të plotë, i kanë bërë lëvdata nga më lëbyrëset kryeministrit. Ai jo vetëm nuk i ka ndaluar këto, por, përkundrazi, i ka nxitur të shtohen. Dhe meqë veset janë një lloj virusi, mbëmë, në tv klan, prezantuesja Alketa Vejsiu, pasi i ka përplasur publikut në fytyrë emrin e Vera Grabockës, një farë regjizoreje që ka bërë veç nga ato spektaklet televizive pa asnjë vlerë, në fund, para se t’i jepte kupën fituesve, ulëriti: unë e di se këtë kupë e fiton Vera Grabocka.
S’ka sesi të mos ndihesh i poshtëruar. Dhe pyetja është fare e thjeshtë: kaq poshtë të kemi rënë, sa askush të mos i ndalojë dot shëmtita të tilla?…

