Shkrim i shkurtuar i shkrimtarit Hernan Casciari, lexuar në emisionin “Perros de la Calle”, në radion Urbana Play, të Buenos Airesit.
Shkrova një përsiatje për numrin e radhës së revistës Orsai, por kam dëshirë ta ndaj me ju tani. Kështu që bëra një përmbledhje të shkurtër të shkrimit që titullohet “Mesi dhe valixhja e tij”. Është diçka që, më shumë se me të tashmen, ka të bëjë me zanafillën e gjithçkaje.
Më kujtohet që, të shtunave paradite, në vitin 2003, në kanalin TV3 të Katalonjës, transmetoheshin drejtpërsëdrejti ndeshjet e ekipeve të moshave të Barcës. Në çatet e argjentinasve të mërguar përsëriteshin pa pushim dy pyetje: “si bëhet Dulce de leche duke zier qumësht të kondensuar?” dhe “në ç’orë luan ai djaloshi 15 vjeçar nga Rosario që bën gola çdo ndeshje?”.
Në sezonin 2003-2004, Mesi luajti 37 ndeshje me të rinjtë e Barcës dhe shënoi 35 gola. Më kujtohet që, të shtunave, shikueshmëria e kanalit katalonas, gjatë paradites e tejkalonte shikueshmërinë në orarin “prime time” të darkës. Gjithandej flisnin për “aquest nen”, për atë çunak, në berberhane, në kafene dhe në tribunat e Kamp Nout.
I vetmi që nuk fliste ishte ai: në intervistat pas ndeshjeve, të gjitha pyetjeve, çunaku iu përgjigjej thjesht me “po” ose “jo”. Kur e kur thoshte një “grasia” dhe pastaj ulte kokën, nuk fliste shumë. Ne argjentinasit e mërguar do kishim dashur ndonjë llafazan, por kishte diçka të mirë: sa herë që endte ndonjë fjali, pak a shumë të gjatë, i hante të gjitha “s”-të, dhe thoshte “ful”, në vend të “faull”. Këtu, me lehtësim të madh, zbuluam se ai ishte njëri nga ne, nga ne që e kishim lënë valixhen jashtë.
Asokohe, në Barcelonë, kishte dy lloje mërgimtarësh: ata që, me të shkelur në Spanjë, e fshihnin valixhen në dollap dhe nisnin të flisnin me dialekt spanjoll, duke thënë “vale”, “tio”, “ostias”. Dhe ne që e linim valixhen jashtë, pranë derës, duke i ruajtur zakonet, si për shembull maten dhe të folurit me “sh”. Ne thoshim “shuvia”, thoshim “kashe” , që të mos harronim se duhet të flisnim me “sh”.
Koha kaloi dhe Mesi u shndërrua në Dhjetëshin e padiskutueshëm të Barcës. Erdhën trofetë, kampionatet, Kupat e mbretit, Ligat e kampioneve. Dhe si ai, edhe ne mërgimtarët, e kuptuam që theksi, gjuha, ishte më e vështira për t’u ruajtur.
Të gjithë e kishim të vështirë të vazhdonim të thoshim “gambeta” dhe jo “regate” , por njëherazi e dinim se kjo ishte transheja jonë e fundit. Dhe Mesi u bë prijësi ynë në këtë betejë. Ai djalosh, i cili nuk fliste, na e mbante gjallë dialektin dhe të folmen tonë.
Kësisoj, papritmas, ne jo vetëm shijonim futbollistin më të mirë që na kishin parë sytë, por edhe vrojtonim se mos i shpëtonte ndonjë shprehje spanjolle në ndonjë intervistë.
Përveç golave të tij, na ngazëllonte fakti që, në dhomën e zhveshjes, kishte përherë me vete termosin dhe maten. Papritmas qe bërë njeriu më i famshëm në Barcelonë, por, ashtu si ne, vazhdonte të ishte një argjentinas jashtë vendit të vet.
Flamuri i tij argjentinas gjatë festimeve pas çdo kupe të fituar në Europë; kundërshtimi i tij ndaj klubit, kur nuk donte ta linte të luante Lojërat Olimpike, ku fitoi medaljen e artë me Argjentinën; krishtlindjet që i kalonte gjithmonë në Rosario, pavarësisht se në janar duhet të luante në Kamp Nou; gjithçka që bënte, ishte një shenjë për ne, për ne që, bashkë me të, kishim ardhur në Barcelonë në vitin 2000.
Është tejet e vështirë të shpjegohet se sa na e gëzoi jetën neve që jetonim larg shtëpisë. Se si na qiti prej mërzisë së një shoqërie monotone dhe na përligji. Se në ç’mënyrë na ndihmoi të mos e humbnim busullën. Mesi na bëri të lumtur në një mënyrë aq të kthjellët, aq të natyrshme dhe aq tonën, saqë, kur filluan të mbërrinin sharjet e para nga Argjentina, nuk mund ta kuptonim.
I thoshin: I pagjak. Të interesojnë vetëm paratë. Më mirë rri në Spanjë. Nuk e ndien fanellën. Nuk je argjentinas, je spanjoll. Meqë hoqe dorë një herë nga kombëtarja, bën mirë ta mendosh prapë. Mercenar.
Kam jetuar pesëmbëdhjetë vjet larg Argjentinës dhe nuk më vjen ndër mend makth tjetër më i tmerrshëm, sesa të dëgjosh zëra përçmuese që vijnë prej vendit që ti do më shumë në botë. As dhimbje më e padurueshme, sesa të dëgjosh, me zërin e fëmijës tënd, fjalinë që dëgjoi Mesi nga i biri, Tiagoja: “O ba, pse të shajnë në Argjentinë?”.
Më ndalet fryma, sa herë që e mendoj atë fjali që i tha biri të atit. Dhe e di që çdo njeri i zakonshëm do të pushtohej prej zemërimit.
Prandaj dorëheqja e Mesit në 2016-n nga kombëtarja e Argjentinës qe thuajse një lehtësim për ne të mërguarit. Nuk mund ta shihnim të vuante ashtu, pasi e dinim se sa shumë e donte vendin e vet dhe sa shumë përpjekje bënte që të mos e priste kërthizën.
Kur dha dorëheqjen, qe sikur papritur Mesi të kishte vendosur t’i hiqte një moment duart nga zjarri. Ama jo duart e tij, por tonat. Neve na dhembnin ato kritika të pashpirta.
Në atë moment, besoj unë, ndodhi ngjarja më e pazakontë dhe më e mrekullueshme e futbollit modern: pasditen e vitit 2016, kur Lioneli u lodh nga sharjet dhe vendosi të hiqte dorë nga kombëtarja, një djalosh pesëmbëdhjetëvjeçar i shkroi një letër në Facebook, e cila përmbyllej kështu: “Mendo që të qëndrosh. Ama qëndro për t’u argëtuar, çka është ajo që duan të ta zhvatin këta njerëz”. Shtatë vite më vonë, Enco Fernandes, autori i letrës, u shpall lojtari i ri më i mirë i Botërorit të Lionel Mesit.
Pasi Mesi, vetëm pak muaj pas asaj dorëheqjeje, u rikthye në kombëtare, dhe u kthye (e tha vetë) me qëllim që ata fëmijët, të cilët i shkruanin letra dhe mesazhe, të mos mendonin se dorëheqja është një mundësi në jetë. Prandaj u kthye dhe, kur u kthye, i fitoi të gjithë titujt që i mungonin dhe që donte të fitonte, e ua mbylli gojën gjithë prozhmuesve të tij. Ndonëse jo të gjithëve, pasi disa syresh, madje gjatë botërorit, e panë për herë të parë vulgar përpara një mikrofoni. Kur tha: “Que mirá, vovo, andá pashá” . Për ne, të cilët kemi pesëmbëdhjetë vjet që e vrojtojmë theksin e tij, ajo qe një fjali e përsosur, pasi i hëngri të gjitha “s”-të dhe e folmja e tij me “sh” vazhdon e paprekur. Na gëzon fakti që e shohim se vazhdon të jetë i njëjti djalosh që na bëri të lumtur kur ishim larg shtëpisë.
Sot, disa mërgimtarë jemi kthyer në atdhe; të tjerë kanë qëndruar jashtë, por të gjithë gëzohemi kur e shohim Mesin që kthehet në shtëpi me valixhen e tij. Kjo histori epike nuk do të kishte ngjarë kurrë, nëse Lioneli pesëmbëdhjetëvjeçar do ta kishte fshehur valixhen në dollap. Nëse, kur ishte fëmijë, do të ishte dorëzuar e do të fliste me dialekt spanjoll. Por ai kurrë nuk e braktisi theksin e tij, kurrë nuk e harroi vendin e vet. Prandaj, krejt njerëzimi e dëshironte me aq forcë triumfin e Lionel Mesit, pasi askush nuk kishte parë ndonjëherë në majë të botës një njeri të thjeshtë, një njeri të zakonshëm. Dhe dje, më 20 dhjetor, ashtu si çdo vit, Mesi erdhi nga Europa për t’i kaluar Krishtlindjet me familjen e vet në Rosario, për t’i përshëndetur fqinjët, si përherë. Zakonet e tij nuk kanë ndryshuar. E vetmja gjë që ka ndryshuar është ajo çka na solli në valixhe.
Në shqip Erion Karabolli

