Ajo ishte fresk pranvere të hershme,
erë që prek degët e pemëve, mendjet e zgjuara,
zemrat e thella, bukuritë e fjetura, dallgën e ëndrrave.
Ajo ishte një kaos, vijë e hollë e dritave të yjeve,
kur nata e heshtur, e qetë, vret dhe nuk shihet kjo.
Një park i dorës së perëndisë që deh dhe triumfon,
bukuri e ndërthurur me brengën, klithmën, ankthin,
kur jetojnë dy brigje që kërkojnë njëri-tjetrin
e ura mbush me cicërima të zogjve besimin, thirrjen.
Një ciklon trëndafilash, me sytë e drejtuar
tek sytë që rrinë hapur dhe presin para portës
ku duhet trokitur: “Alo, jam fati, të kam zënë supet
dhe flokët e blerimit të mendimeve
kam mbështjellur rreth qenies tënde,
mos lerë të fiket ky qiri i çmuar, sa dielli i madh!”
Ajo, ja pse mund të jetë një oazë orkidesh,
e brishtë, siç ishte ajo femër, po ngryste kohën në qepallë,
donte sfidën e perëndisë, pse ka kuptim një jetë,
vetëm t’i prekte shpirtin e saj Dashurisë që lind çdo gjë,
atë emocion, atë pasion që ka logjikë gjithçka e gjallë
dhe e ndiente që nga larg, se dikush e ëndërronte,
zgjohej e flinte në gjumë, merrte erë luleje për të.
Në ëndërr bënte dashuri e ditën e zgjonin kujtimet e ëndrrës,
sepse kishte çaste vërtet ëndërrimtareje
që botën e saj femërore mund ta pushtoje.
Ajo ishte një kozmos, ishte dhe kaos,
dora e ëndrrës që duhej të vinte të qetësonte çdo gjë,
si një oqean që të trazonte ujërat e pastërta shpirtërore.
Ajo femër ishte këtu edhe askush nuk e ndjeu,
Femër, sa qielli dhe drithërima e tërë një planeti,
kaos, si parku më i bukur i qytetit natën, kur nuk shihet
dhe ditën kur secili e dëshiron,
por një zemër mbjell tek ajo dritën e kuptimit,
shpëtimin e një zemre, në të cilën dy veta mbushin
botën e amshuar të një puthjeje, një dhome, një horizonti,
pa të cilat, as kaosi s’ka bukurinë, si violet mëndafshi,
fresk – përjetë shenjtëri.
Aida Meti/ FEMËR-përjetë shenjtëri.
Leave a comment
Leave a comment

