Rezerva Federale rriti të mërkurën normën bazë të politikës së saj me gjysmë pikë përqindjeje dhe sinjalizoi kështu synimin për të vazhduar me shtrëngimin e ekonomisë amerikane vitin e ardhshëm, në një kohë kur bankat qendrore në të dyja anët e Atlantikut po hyjnë në një fazë të re në betejën kundër inflacionit.
Në mbledhjen e fundit të këtij viti, Komiteti Federal i Tregut të Hapur votoi unanimisht për të rritur normën e fondeve federale, duke e çuar atë në një interval të targetuar prej 4.25 për qind në 4.5 për qind. Ky ishte një ngadalësimin në ritmin e shtrëngimeve të vazhdueshme, të cilat shënuan një varg muajsh me rritje prej 0.75 pikë përqindje.
Kjo rritje më e vogël e normës ka të ngjarë të ndiqet edhe nga bankat e tjera qendrore në të gjithë botën, pasi Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë duket se do të rrisin kostot e huamarrjes me gjysmë pikë përqindjeje të enjten.
Ekonomistët thonë se inflacioni ka arritur kulmin në të treja këto rajone, me ulje të normës totale në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë, por bankat qendrore mbeten të shqetësuara se do të duhet shumë kohë për të shkuar drejt objektivave të tyre prej 2 për qind.
Në një konferencë për shtyp pas këtij vendimi, kryetari i Fed-it, Jay Powell, tha: “Efektet e plota të shtrëngimit të shpejtë të politikës monetare nga ana jonë nuk janë ndjerë ende. Kemi ende shumë punë për të bërë.”
Powell mirëpriti ngadalësimin e rritjes së çmimeve totale në SHBA gjatë muajve tetor dhe nëntor, por paralajmëroi se “do të duhen shumë më tepër prova për të vërtetuar se inflacioni është në një trend të qëndrueshëm rënës”.
Në deklaratën e vet, Fed tha se “rritjet e vazhdueshme” të normës së politikës do të ishin “të përshtatshme” për të siguruar që ekonomia po frenohet mjaftueshëm për të vënë nën kontroll rritjen e çmimeve.
Pas deklaratës dhe konferencës për shtyp të Powell, indeksi S&P 500 u mbyll me 0.6 për qind më pak, ndërsa Nasdaq Composite ra 0.8 për qind. Yield-i dyvjeçar i Thesarit, i cili lëviz sipas pritshmërive për normat e interesit, mbeti i pandryshuar në 4.2 për qind.
Jay Barry, bashkë-drejtues i strategjisë për normat e SHBA-së në JPMorgan, tha se përpara vendimit, investitorët ishin duke debatuar nëse Fed do t’i jepte fund qasjes së “rritjes të vazhdueshme” në favor të një politike më lehtësuese. Por, me sa duket, vendimi i fundit “tregon se jemi ende shumë larg mbylljes së ciklit shtrëngues”, shtoi Barry.
Krahas vendimit për normën e interesit, Fed publikoi një grafik të rishikuar për projeksionet e normave të interesit, i cili tregon se do të ketë shtrëngime të mëtejshme edhe vitin e ardhshëm./FT

