29 Nëntori i vitit 1944 përfaqëson (ashtu siç e kuptoj unë), pragun më të diskutueshëm për shqiptarët. Fundluftën dhe njëherësh fillimdikataurën më të zezë që ka parë Europa e pasluftës. Të dy këto kufij kanë një datë, si fillim dhe si fund, atë të 29 Nëntorit. Fitimtarët erdhën si pushtues të rinj, i dhanë liri atdheut dhe ja hoqën lirinë njerëzve që zunë brenda tij.
Atdheu i lirë dhe shqiptarët të robëruar.
Si quhet një shtet kur shtetasëve të tij ju hiqet liria? I lirë, apo i robëruar? Po ai shtet, kur shtetasëve të tij ju hiqet e drejta e pronës? I lirë apo i robëruar? Po kur ju hiqet e drejta e besimit? Të gjitha këto mynxyra kanë për prelud ditën si sot 78 vjet më parë. Çfarë krenarie ka emetuar kjo ditë lirie, ndërkohë që shqiptarëve ja rrethoj vendin me tela me gjemba ku plumbi priste këdo që kërkonte lirinë e premtuar aq triumfalisht? Çlirimi-Çfarë kuptimi ka nëse nuk sjellë lirinë?
Është fakt i pamohueshëm se ka pas një lufte çlirimtare dhe se ajo u fitua nga komunistët, që pavarësisht se nuk e filluan atë, por e finalizuan të vetëm, duke përvetësuar të gjithë kontributin e nacionalistëve që gjatë luftës dhe aleatëve fill pas saj.
Pallavra të tilla se pa luftën mund të mos kishte më Shqipëri janë dietrologji foshnjore.
Kur e ndanë Europën as që u kujtua kush për Shqipërinë, as si fitues as si humbës.
Vende që nuk e qitën një dyfek kundër fashizmit, madje duke qenë edhe nën hundën e BRSS, jo vetëm që nuk u asimiluan, por sot janë në krye të vendeve më të pasura të planetit, me të ardhurat më të larta botërore. Madje Findlanda edhe pse u pushtua prej sovjetikëve më 1940, përsëri mbeti pa u prekur…
Nuk rreshtohem kundër atyre që luftuan dhe sidomos atyre që dhanë jeten, për të cilët ka vetëm nderim, por nuk mund të kem këtë gjatësi vale konsiderate, për ata që shfrytëzuan pozitën e çlirimtarit për tu marrë lirinë bashkatdhetarëve të tij.
Fitimtarët e luftës sapo çliruan kryeqytetin, pushtuan shtëpitë dhe vilat më të mira që kishte Tirana, duke i shpronësuar dhe shpesh duke i vrarë pronarët e tyre, këtë gjë nuk e bënë pushtuesit, as italianë dhe as gjermanë.
Nuk gjendet një rast shpronësimi me dhunë dhe pa shpërblim prej këtyre pushtuesve që gjithësesi të tillë ishin.
Pavarësisht diferencave, fashistet me komunistet kanë shume gjëra të përbashkëta, që më kryesorja është se asnjëra palë deri më sot nuk kanë kërkuar ndjesë për krimet që kanë kryer.
Si nuk gjendet një nazist, apo komunist, që të kërkonte të paktën personalisht ndjesë. Asnjë.
Edhe liria, edhe atdheu, edhe familja edhe çdo gjë në fund të fundit është perceptim personal. Nëse mua si person ma heqin lirinë, pa kryer asnjë krim, sa vlerë ka liria si koncept?
Fitimtarët u sollën keq me luftën që bënë dhe, edhe pse kanë kaluar 7 dekada përsëri nuk arritën për ta pas si një ditë për gjithë shqiptarët, por vetëm për veten e tyre.

