Kur ishim të vegjël varfëria shëtiste si kolera nëpër qytetet dhe fshatrat e Atdheut tonë. As shtëpia jonë s’bënte përjashtim nga ky rregull. Por ama vjeshta ishte pak më ndryshe për ne , pasi gështënjat e zbusnin deri diku varfërinë së paku në aspektin e të ushqyerit. Edhe pse gështënjat ishin bimët e Zotit në atë kohë kolere ishin shtetëzuar dhe burrat më të këqij të Tropojës në përjudhën shtator-tetor I caktonin roje të pyjeve me gështenja. Ne ishim të privilegjuarit e perëndisë vjeshtave, pasi shtëpia jonë e vogël ishte e fshehur në pyllin e gështenjave. Të paktën tri a katër stupa të medhenjë ishin brenda gardhit tonë dhe disa të tjerave frutat e kafta u rrokulliseshin dhe u binin brenda në oborrin tonë. Kështu që burrat e këqij që bënin roje dhe ziheshin e rriheshim me fëmijët e qytetit mua dhe vëllezërve të mi na shihnin me zili dhe pse jo gjithë maraz dhe inat. Përgjatë dy tre muajve të vjeshtës nëna jonë e mirë nuk e vriste shumë mendjen se me çka do I ushqente fëmijët e saj. Çdo mbrëmje ziente të paktën nga tre katër kile gështenja. Ndërsa si për të ndërruar mënunë njëherë në dy tre ditë i hanim të pjekura “porogaça” si i thërrasnim ne gështenjat e pjekura dhe të qeruara. Të zierat Nëna na i bënte vargje të vogla me pe dhe na i jepte me vete në shkollë. Jo të gjithë e kishin këtë privilegj dhe ne e demostronim këtë epërsi duke ndërruar kokrrat e gështenjave të ziera me copa buke të lyera me gjalp, margarinë apo me vezë të skuqura. Mbaj mend që në vjeshtë nëna jonë e mirë ishte më e gëzuar se në çdo stinë tjetër të vitit. Aso kohe unë nuk e dija arsyen e gëzimit të saj vjeshtave. Mbrëmë nëna kishte vu për ta zier plotë një tenxhere me gështenja, si dikur kur ishim të vegjël. Kur e pyeta se pse po i ziente gjithë ato gështenja si dikur kur ishim të vegjël . Ajo mu përgjigj – janë ka prishen nano…


