Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi në një konferencë për mediat në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë se 71 efektivë janë dëmtuar gjatë akteve të dhunës të regjistruara në Tiranë përgjatë tri ditëve të protestës.
Hita u bëri apel prindërve dhe pedagogëve që të mos lejojnë përdorimin e fëmijëve dhe nxënësve si mburojë gjatë sulmeve ndaj institucioneve dhe pronës private.
“Sulmi ndaj uniformës së Policisë përbën sulm ndaj shtetit dhe rendit ligjor. Të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë ndaj efektivëve, si dhe ata që kanë dëmtuar institucionet apo pronën publike dhe private, do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
U kërkoj efektivëve të tregojnë profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje, të mos bien pre e provokimeve, por njëkohësisht të mos tërhiqen.
Pjesëmarrësit në protestë duhet të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, pasi përgjegjësia është individuale dhe secili do të përballet me ligjin.
Ndaloni dhunën ndaj Policisë. Çdo akt i tillë vë në rrezik jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Mesazhi ynë është i qartë: vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë. Policia nuk tërhiqet përballë dhunës dhe do të mbrojë institucionet dhe qytetarët”, u shpreh Hita.

