Këtu nuk jemi tek varianti “kokat hëngshin”, sepse këta kanë ngrënë kokën e shtetit dhe tonën bashkë me shtetin.
Policë të inkriminuar e zyrtarë të korruptuar ka dhe do të ketë, në çdo vend.
Por kur institucionet më të rëndësishme shtetërore vihen në shërbim të krimit, kjo është fatale.
1. SHISH- Kryetarja e shërbimi, i shërbente një grupimi të konsideruar zyrtarisht kriminal nga SPAK, duke i ofruar informacione të rezervuara. Të paktën për këtë dyshohet se është lëshuar urdhër-arresti, i cili nuk është ekzekutuar, pasi Vlora Hyseni ishte larguar ndërkohë.
2. Policia- Ish- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda,(larguar, me gjasë, për këtë arsye), nën hetim për përfshirje në çështjen “Agasi – AKSH”. Deri tani vetëm sekuestrime sendesh dhe marrje në pyetje në SPAK, menjëherë pas kontrollit të banesës. Një ish-vartës dhe bashkëpunëtor shumë i ngushtë, u arrestua ndërsa shërbente si shofer dhe truprojë e Ergys Agasit.
3. AKSH- Institucion që menaxhon të dhënat elektronike të një shteti të tërë dhe të dhënat private të shtetasve të tij. E gjithë kupola drejtuese nën akuzë për krijim “Organizate kriminale”.
4. Policia shkencore- Hallka më e rëndësishme e zinxhirit hetimor. Laboratori i saj analizon llojet e drogave, bën analizat e AND-së të të dyshuarve për krime dhe ekspertimin e armëve. Mjafton një “po” ose “jo” e këtij laboratori për të mbështetur apo për të rrëzuar provat për një krim. Shefi i laboratorit, arrestuar për bashkëpunim me grupet kriminale.
Pyetja e madhe të cilës duhet ti përgjigjet hetimi është: PERSE?
Përse kreu i SHISH ofronte informacione Agasit? Përse Policia e Shtetit i shërbentë Agasit? Çfarë roli kishte laboratori shkencor? A ka manipuluar ai prova krimi? Për llogari të kujt?
Ka edhe një pyetje, të cilës nuk i përgjigjet dot as prokuroria: Përse urdhër arresti doli kur kreu i SHISH nuk ishte në Shqipëri e me gjasë nuk do të kthehet më?
Këta nuk e kanë dëmtuar shtetin, këta e kanë shkalafitur. Kanë shkatërruar besimin e nëpunësve të ndershëm dhe besimin e qytetarëve.

