Nga Mehmet Elezi
Disa të reja i mësova sot (01 shkurt) në një kronikë të televizionit francez nga Marseja. Aty është një plantacioni parajsor mimozash.
Të reja:
– Me mimozat u bëka edhe një çaj i rrallë erëmirë. Thaji lulet dy javë dhe pastaj shijoje.
– Mjalti i mimozave, delikatesë e klasit të parë.
– Nëse thyen një degë mimoze, kjo i dhemb krejt qytetit. Janë specialistë ata që i këputin lulet me gërshërë, gjithë kujdes e përkëdhelje.
– Një tufë mimozash gufuese quhet një diell i vogël në shtëpi.
– Një tufë mimozash kushton 6 – 8 euro.
– Bëhen në çdo lloj toke, vetëm mbilli.
Të vjetra:
– Mimozat kanë qenë fytyrë e Tiranës (na ishte një herë).
– I ndeshje në emra vajzash, në këngë, në tituj librash, në metafora poezish (na ishte një herë).
– Prej vitesh pushteti u ka shpallur luftë mimozave, si çdo gjëje identitare, të vogël a të madhe.
– Mbillen gjithfarë bimësh ekzotike, që kriojnë imazh snob e kozmopolit dhe na kushtojnë qimet e kokës ne taksapaguesve. Vetëm mimoza jo.
– Marseja i solli nga Australia, i bëri pjesë të fytyrës së vet (i eksporton brenda ditës deri në Tokio). Ne i përcjellim në qoftëlarg, i shtypim me beton.
Çdo mëngjes i ndiej si dënesin “të fundmet e mohikanëve” te kodrat e Liqenit.

