Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e sotme Orikumin. Më datë 02.01.2026, rreth orës 13:30, shërbimet e Policisë janë njoftuar nga Urgjenca Kombëtare se shtetasja Bozhe Bozhani, rreth 48 vjeçe, kishte kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa në trupin e saj, veçanërisht në zonën e qafës dhe në pjesë të tjera, janë konstatuar shenja dhune.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se dhuna është ushtruar nga bashkëshorti i saj, shtetasi Llogora Xhebro, rreth 52 vjeç. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, gruaja ka ndërruar jetë në banesë.
Rreth orës 13:50, në momentin që shërbimet e Policisë kanë shkuar në banesën e shtetasit Llogora Xhebro, ai është gjetur i pajetë, i vetëvrarë me armë zjarri. Pranë trupit të tij është konstatuar një armë zjarri tip pistoletë Glock dhe një gëzhojë kalibër 9 mm, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.



