Pas zgjedhjeve lokale Të Gjelbrit dhe SPD-ja janë thellësisht të zhgënjyer. “Është e vërtetë që nuk ishim në gjendje ta ndalonim trendin në rënie”, tha kryetarja e SPD-së, Bärbel Bas, në radion WDR. “Rezultatet, sigurisht, nuk më bëjnë të lumtur”. Megjithatë, rezultatet nuk janë aq katastrofike, siç kishte parashikuar më parë partia e saj, por “duhet të pyesim veten, si të dalim nga kjo gjendje”.
Rënien më të ndjeshme e pësuan në zgjedhjet e landit Të Gjelbrit. Bashkëkryetari i kësaj partie, Felix Banaszak pranoi humbjen e rëndë të partisë së tij – dhe u shreh, se shpreson që të Gjelbrit të mund të fitojnë pikë në disa qytete në zgjedhjet për kryetar bashkie. Politikani nga ky land e sheh performancën e dobët të Të Gjelbërve si rezultat të një ndryshimi themelor politik. “Politikat ekologjike dhe progresive po kalojnë një kohë të vështirë tani”, tha Banaszak për WDR.
Entuziazëm pati tek AfD. Bashkëkryetari i partisë, Tino Chrupalla, e quajti performancën e partisë së tij një sukses të madh. “Parashikimet fillestare parashikojnë që AfD-ja e trefishoi pjesën e saj të votave në zgjedhjet lokale në Nord Rhein Westfalen”, shkroi ai në Platformën X. “Ne jemi një parti popullore dhe të gjithë mbajmë një përgjegjësi të madhe për Gjermaninë”. Sipas parashikimeve, AfD doli e treta pas CDU-së dhe SPD-së me më shumë se 15 përqind.
Edhe Partia E Majta reagoi me entuziazëm ndaj performancës së saj. Kryetari i partisë, Jan van Aken, e quajti atë një “rezultat të shkëlqyer për të Majtën”. “Ne jo vetëm që e arritëm qëllimin tonë, por edhe e tejkaluam atë”, tha ai.
DW Shqip