Nuk më kujtohet saktë kush e ka thënë këtë frazë (Mark Tuen, apo Feldmanni), por me të kam një histori të lezetshme:
Ishte viti 1998. Kisha një ftesë për në festivalin e Disë, Francë. Shqipëria shkëlqente mes dhunës. Sa panë pasaportën time në aeroportin e Lionit, më rrethuan nja dhjetë policë. Mbi fytyrën time rrinte një buzëqeshje, e rrumbullt dhe e bardhë si kandil deti, krejtësisht ironike dhe idiote.
Në festival dikush më bëri pyetjen: Ç’po ndodh në vendin tuaj?!… Çfarë bëjnë politikanët? Atëherë unë shqiptova thënien e mësipërme. Në fillim vetëm frazën e parë: unë nuk e ha mishin e njeriut… Dhe bëra një pauzë.
Përkthyesi shtangu:
-Ç’po thua? A je në rregull? – më pyeti shqip.
-Përkthe! – gati e urdhërova – përgjegjësinë e mbaj vetë.
-Je ne manges pas le viande de l’homme – përktheu ai, por, menjëherë, duke e veçuar veten prej meje, duke më treguar me gisht, shtoi: – thotë ky.
Salla ngriu. Heshtje varri. Pas kësaj sustance, shqiptova frazën e dytë. Pashë se si fytyrat e njerëzve u çliruan nga kthetrat e tmerrit, se si mbi to po formoheshin trajtat e sigurta të buzëqeshjes.
Pas takimit, mikesha ime Elisabeth Chabouel, e cila më kishte bërë edhe ftesën, më tha: kur ti shqiptove frazën e parë njerëzit në sallë u tmerruan: Bobo!, thanë, Shqiptarët janë bërë aq të egër sa po hanë njëri-tjetrin. Një kanibal i tillë paska ardhur të na hajë të gjithëve këtu, në sallë në Di.
Shpesh kam kujtuar se kjo thënie ka rënë si një shpellë e rëndë poshtë, ujërave të harresës. Por jo: sa herë ndodhin prapësitë në këtë vend, ajo, si të jetë një masiv prej shkume deti, del përsipër këtyre ujërave. Dje m’u kujtua sërish…
Nga Balil Gjini

