Nuk i dua njerëzit që pyesin e s’të lënë të përgjigjesh.
Që të thonë:
– Çka ta merr mendja ty, a…?
Dhe sapo hap gojën për të kthyer një përgjigje, ata të ndërpresin, kokorisën, flasin me vete – si të kishin dëgjuar më shumë seç kanë pyetur.
Kjo është njësoj, sikur të pyesësh korbat pse krrokasin, e ata të përgjigjen… me: – krra-krra!
S’më pëlqejnë njerëzit që thonë “unë mendoj”, me atë zërin që mbulon mungesën e mendimit.
Sepse ai që vërtet mendon, zakonisht hesht.
Ai që s’mendon, flet për të dëgjuar vetveten, dhe për të bindur të tjerët se sa shumë din!
“Çka mendon për Albinin?” – më pyeti njëri n’kafiteri.
Pyetje që më la një ndjenjë të çuditshme, gati si frikë.
– Pse të mendoj unë për të?
Është i marrë ai? I verbër? I sëmur?
S’ka ai sy ai?
A s’ka mendime më të qartë se komentet tona?
– Jo, unë mendoi se ai… vazhdoi ti përgjigjet pyetjes së vet.
Aty më plasi xhami i zemrës. Ia ndërpreva pa mëshirë:
– Pse t’mos mendoj unë për vetvetën time që gazepçe jetoj, po t’ mendoj për ata që e kanë shoshitur mendimin e vet dhe e kanë hedhur në erë.
– Mendo për ata që bluajnë bykun e drithin bashkë – që nuk e ndajnë bukën nga dhimbja.
Atyre ua qaj hallin. Jo atyre që nuk lidhen më në hujt e kalbur të përvuajtjes, të tokës, të njerëzores.
Ai prapë…
– Po ai…
S’prita. U ngrita nga tavolina.
Njeriu që nuk të dëgjon nuk kërkon përgjigje – kërkon pasqyrë për të parë veten duke folur.
Mik, desha me ta pagu kafën, por m’u kujtua poeti e “Këngët e hutinit” që më pat thënë:
– Paguaja kafën atij që të mëson, jo atij që të pyet e s’të lë të përgjigjesh, jo atij që flet vetëm për t’u dëgjuar vetë.
– Qenke plak, se pata me ta rrotullua… më tha me të qeshura.
– Rrotulloje arën tënde, – ia ktheva, – se po e punoi dikush tjetër, do të mbijnë kopilat nëpër tromeqët e misrit, e faji do të mbetet ty, që u rrotullove të tjerëve nënat, e nuk pate kohë ta lavrosh tënden.
*
Mirë bëj që rri vetëm. Dhe kushdo që më thotë, “hajde, mos rri vetëm”, i them; – jo, s’po rri vetëm, po rri me vetveten, e vetvetja ose të përul, ose ta zbardh fytyrën.
Prishtinë, 04.06.2025

