Vitin e kaluar po shkoja në vendlindjen time, në Librazhd. Një pjesë rruge nga qyteti në fshat, rrugën e mora me këmbë, pasi atje nuk shkon makina.
Gjatë rrugës më thirri nga rruga B, një bashkëmoshatar imi, mu lut të hyja në shtëpi të tij dhe më kërkoi t’i vizitoja dy binjakët, pasi i kishte të sëmurë prej vitesh, kishin lindur me probleme.
Atë pjesë rruge për në shtëpinë e tij, B më shumë më fliste për partinë, për zgjedhjet e kaluara, dhe këtë bisedë e vazhdonte plot zell edhe kur hymë në shtëpi.
Në fakt më tronditi varfëria, mizerja në të cilën jetonte B. Unë kam parë shumë në gjithë Shqipërinë por aq keq , kurrë !
Pasi kontrollova të dy çunat, i ulur në një minder të shekullit të kaluar tek po përcillja atë që quhej kafe, sytë më kapën një foto të Edi Ramës në murin e pasuvatuar të asaj që quhej guzhinë e poshtë saj foton e Taulant Ballës . Të dyja foto bardhë e zi, të marra nga gazetat, pa kornizë, të ngjitura me brumë, ndoshta .
Kryefamiljari, ish-shoku im i 8-vjeçares, filloi të më fliste për varfërinë, të më ankohej se nuk kishte punë, për hallin e binjakëve të tij invalidë, të cilët kishin nevojë për shërbim shëndetësor, dhe se në atë fshat nuk kishte prej vitesh as mjek e as infermier.
Nga mërzitja i them me zë të lartë: – Po si ke zemër more B që voton Taulantin kur jeta jote ka shkuar kaq keq??
– Taulanti e meriton sa të jetë gjallë votën time, prej atij marr KEMP për dy fëmijët e sëmurë që blej miell e vaj!
Çfarë ti thoja të shkretit B, çfarë?!
Tek hapte gojën, 3-4 dhëmbët e tij të mbetur si gozhdë të ndryshkura ma hoqën krejt dëshirën për të vazhduar më tej…


