Është nënshkruar sot marrëveshja për shërbimin shëndetësor shqiptar, posaçërisht për QSUNT dhe Universitetin e Mjekësisë, që do të hyjnë në një partneritet strategjik me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe universitetin përkatës “Vita- Salute San Raffaele”.
I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, e cila u zhvillua në mjediset e QSUNT ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se ky është një moment historik për shëndetësinë tonë dhe ambicia në perspektivë është kthimi i kësaj qendre spitalore në pikën e referimit për të gjithë Ballkanin dhe në një qendër ekselencë mes qendrave të ekselencës në Europë.
Stafi i kësaj qendre do të përfshihet në mënyrë të drejtpërdrejtë në menaxhimin e QSUT. Paralelisht me qendrën spitalore, kryeministri theksoi se synimi është edhe transformimi i Universitetit Mjekësor të Tiranës. Ai tha se deri në fund të kësaj dekade, Universiteti i Mjekësisë të shndërrohet në një “degë” të atij të Vita- Salute San Raffaele.
“Synimi është që deri në 2030, nga njëra anë QSUT të pësojë atë transformim që grupi i San Raffaeles ka sjellë në Poloni, duke u përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset, menaxhimin e qendrës, në organizimin e gjithë jetës përditshme të qendrës dhe duke bashkuar në kuptimin e vërtetë profesionistët e të dyja anëve, San Raffaeles dhe QSUT. E njëjta ambicie është edhe për universitetin. Kemi shembullin e Universitetit BOKU të Vjenës, që ka filluar procesin e shkrirjes me UBT, që në fund të kësaj dekade, të vijnë studentë nga e gjithë Evropa për të studiuar me të gjithë parametrat e Universitetit të Vjenës dhe për të marrë një diplomë të njëjtë. Qëllimi është i njëjti që Universiteti i Mjekësisë të merret e njëjta diplomë si të atij i San Raffaeles dhe Tirana të jetë degë e universitetit të San Raffaeles. Ky është objektivi i fundit të dekadës.”, u shpreh kreu i qeverisë.