E kemi për traditë ne shqiptarët që të kërkojmë gjërat fetare që na bashkojnë dhe t’i anashkalojmë në heshtje ndryshimet doktrinore, duke bërë praktikisht gjëra që na përziejnë me njëri-tjetrin dhe pa shkaktuar shkelje dogmatike për asnjërën palë.
Pa dyshim kjo traditë ndërfetare është ushqyer e rrënjosur në të kaluarën e largët brendashqiptare nga barinj shpirtërorë vendas të besimeve tona, të cilët në shumicë kanë udhëzuar dhe ndriçuar popullin e pamësuar të Perëndisë në vëllazëri, pavarësisht dallimeve dhe armiqësive si pasojë e pushtimeve të huaja.
Ka shumë gjëra të përbashkëta midis kreshmës sonë dhe ramazanit të myslimanëve. Këtë vit ka dhe një bashkëpërkim kohor këtë muaj.
Prejardhja e agjërimit nuk është as e krishterë e as myslimane, por e trashëguar nga tradita e përbashkët shpirtërore abrahamike. Të dy palët pranojnë se shembulli i agjërimit paraekziston te Moisiu (Musai), Davidi (Dauti) dhe Jezui (Isai).
Në katër shekujt e parë të krishterimit kishte një larmi të madhe praktikash agjërimi, në vende e kontinente të ndryshme, me përqasje e larmi interpretimesh. Këtë e shohim ende sot në ato kisha që quhen orientale ortodokse, të cilat u shkëputën në shekullin e pestë, me mosmarrëveshjet teologjike në sinodin e Halkedonës, në vitin 451. Agjërimi në kishën ortodokse të Etiopisë sot, për shembull, është shumë ndryshe, më i gjatë e më i rreptë se agjërimi në kishën tonë.
Kreshma jonë përbëhet nga agjërimi, lutja intensive, leximi i shpeshtë i Shkrimeve, pjesëmarrja e dendur në adhurimin e Kishës, vetëpërmbajtja e rreptë dhe lëmosha (bamirësia). Shumica e ortodoksëve nuk e mbajnë kreshmën, por edhe ata të paktë që e bëjnë, e ruajnë vetëm pjesërisht.
Po kështu edhe për myslimanët. Edhe pse agjërimi është një nga pesë shtyllat e islamit dhe është i detyrueshëm, shumica dërrmuese e shqiptarëve myslimanë që njoh, nuk e mbajnë ramazanin.
Myslimanët që agjërojnë gjithashtu përfshihen në bamirësi, me ushqime dhe dhurime.
Më kujtohet në vitin 2004 në Kanada, kur shkova për të blerë një makinë të përdorur në Vankuver, i veshur me të zeza dhe kollaren e bardhë të priftit. I thashë shitësit se dua një makinë të lirë për një a dy vjet dhe ai më tregoi disa prej tyre. Kur e pikasa atë që desha, zotëria nga Lindja e Mesme më tha: “Do të ta jap me gjysmë çmimi, sepse e kemi vendosur si familje që të bëjmë një dhurim për ramazanin”. Jo vetëm që bëri bamirësi, por e bëri pa dallime fetare.
Edhe ne shqiptarët kemi shumë shembuj të tillë në Shqipëri.
Le të kujtojmë shqiptarët myslimanë që dhuronin para për shtypjen e librave të parë kishtarë për ne ortodoksët, në vitet 1910 e deri në vitet 1950, emrat e të cilëve janë të gdhendur përjetësisht në “listën e ndihmëtarëve” të librave liturgjikë të Imzot Fan Nolit. Këta libra i kemi brenda në kishë dhe i përdorim ende sot në shërbesat dhe lutjet tona.
Për më tej, një shqiptar ortodoks ndërsjelltas, Ilo Mitko Qafëzezi, përktheu i pari Kuranin në shqipe për vëllezërit myslimanë para një shekulli, e shumë e shumë vepra të shpenguara dashurie nga të dy palët, të cilat kanë fuqi më të madhe sesa gjithë konferencat e sotme ndërfetare, me sponsorizime të huaja dhe pjesëmarrje të shtirura.
Pavarësisht ndryshimeve fetare midis agjërimit tonë dhe të myslimanëve, le të kërkojmë mënyra të reja përafrimi në vazhdim e thellim të traditës sonë të trashëguar brendashqiptare.
Ja një sugjerim, sidomos për studentët, për të rinjtë në përgjithësi dhe për këdo tjetër. Në praktikën e sotme liturgjike të kreshmës së madhe, si dhe gjatë tri ditëve të para të javës së madhe para Pashkës, kisha jonë kryen meshën e parashenjtëruar gjatë javës dhe sidomos të mërkurën dhe të premten. Kjo meshë në shumë vende mbahet në mbrëmje, sepse shumica e ortodoksëve janë në punë dhe shkollë gjatë ditës, prandaj dhe nuk mund të meshohen në mëngjes.
Është e kotë të bësh meshë vetëm për dy-tri plaka, sa për të shkuar radhën. Duhet të bëhen dy meshë, në mëngjes dhe në mbrëmje, për të përmbushur nevojat e sotme.
Sipas traditës së kungimit, kjo meshë e kreshmës mëton dymbëdhjetë orë agjërim nga ushqimi, lëngjet dhe duhani. Ata ortodoksë që kanë shokë, miq a familjarë myslimanë dhe agjërues njëherësh, duhet të nxiten nga shembulli i tyre dhe të agjërojnë qoftë dhe një a dy ditë në javë, të mërkurën dhe të premten, duke mos ngrënë e pirë pas mëngjesit herët e deri pas kungimit në kishë në mbrëmje vonë.
Në këtë mënyrë, me agjërim dhe lutje, le t’i pranojnë zemërhapur dhe denjësisht ftesat për të marrë pjesë në gostinë dhe gëzimin e përbashkët me vëllezërit dhe motrat tona myslimane.
* * *
POSTIME TË STINËS (Foti Cici)
KRESHMA E MADHE:
https://www.facebook.com/share/p/161E4baL3U/
KRESHMA DYZETDITORE:
https://www.facebook.com/share/p/17TFffgeaA/

