Nga Xhevat Mustafa
Sa shumë pretendime kemi edhe ne shqiptarët…?! Duam ujë dhe drita, shtet të fortë, qeveri të ndershme, demokraci të kulluar, drejtësi ZOTI, rend e qetësi, paga dhe pensione të larta e mirëqenie të nivelit të shumicës së popujve në Perëndim pandërprerë për 24 orë, për çdo vit, për gjithë jetën…? Për më tepër, për secilin, familjen, për gjithë lagjen, fshatin, qytetin, vendin…!?
Duam edhe që në ditë me shi dhe borë të fortë të mos përmbyten rrugë dhe lagje të tëra, sidomos në qytetet bregdetare e fushore si dhe në ato kodrinore e malore! Edhe që të mos ndërpritet energjia elektrike, as në ditë vere, për disa orë apo edhe një ditë të tërë!
Duam të jetojmë mes gjithë të mirave, luksit dhe të bëjmë turizëm dhe qejfe në plazhet e Turqisë, Greqisë, Italisë, Francës, të Majorkës e të Maldiveve, të Floridas e Karaibeve…, si zviceranët, amerikanët, italianët, gjermanët, francezët, spanjollët, britanikët, nordikët…?!
Duam edhe qeveri, kryeministër, president…, aq të mirë sa nuk gjenden në planet, në asnjë tjetër vend!
Nuk duhet harruar: nga një kokë e nga dy sy, veshë, duar, këmbë, kuletë, kabinet, kasafortë,…, kanë kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Linda Balluku si dhe ministreshat e ministrat e tyre!
Kur kemi jetuar me gjithë këto mungesa, me durim kali, pele e mushke, kau e demi, gomari e gomarice…, për 80 vjet apo për një jetë të tërë, përse të mos durojmë edhe 80 vjet të tjerë?
Sipas astrologëve, meshkuj e femra, shumica që u anon koka ca majtas dhe horoskopëve të tyre largpamës për të gjithë, të 12 shenjave të zodiakut, “më mirë do do të na bjerë, duke shtuar vazhdimisht dozat e shpresës e të durimit!”
Pra, lum kush të rrojë “parajsën rilindase” ta…përjetojë!

