Nga Ana Kove
Sot ne do festonim ditën e emrit tënd. Por ti s’je. Sa mirë që s’je! Unë, bija jote e vetme, jam sot bijë bastarde, që i gëzohem ikjes tënde. Ti do vdisje sot gjithsesi. Sapo ta shihje këtë projekt-mynxyrë. Sapo ta shihje sesi do katandiset Poradeci yt. Se ç’shëmti do ketë te uçkat e te lumi, se ç’fantazmë ka shtrirë krahët e zinj të territ e tmerrit mbi më të bukurën natyrë. Ti dhe të gjithë poradecarët e mirë, që jetën e lidhët me varkat e me gjolin, me paqen, me peshqit e me zogjtë, sa mirë që s’jeni! Ç’fat që kanë vdekur të gjithë të mirët e këtyre rrugicave; ata, që, sa kishin këmbë, çapiteshin mbi guriçkat buzë gjolit, e kur s’mundeshin më e shihnin kaltërsinë e ujit nga pragjet e dyerve. Sa mirë, o Zot, që i more e ua kurseve këtë dhimbje, të mos i dëgjojnë me veshtë e tyre të lodhur ca sharlatanë, që gjoja po u digjet barku për këtë qytet; se tani u dashkan ndërtuar kulla 20 e ca katëshe mu në breg, që edhe për Pogradecin të fryjë era e re.
Po cila erë e re, o mjeranë? Era e betonit dhe e parave që qelben erë? Po a kanë dëgjuar vallë ata për ca erëra të tjera: Për ato që fryjnë nga liqeni, për krivecin, për llaçkën, për Jugën, për Veriun që fryn nga Mal i Thatë. Që, bash shpirtin e tyre thaftë!
O babush, sa mirë që vdiqe e s’po sheh gjë. Po na e shkulin identitetin bashkë me pronën tonë të përbashkët, bashkë me ajrin, me ujin, me vendlindjen, e me krejt atdheun. Kush na mbron nga kjo barbari asgjësuese? Ne të gjallët jemi më të vdekur se ju të vdekurit. Ndaj piskama ime u drejtohet të vdekurve që s’vdesin. O Shën Llazar, na mbro! O Mitrush i Gjëmës së Mëkatit!!! Mëkati na mbuloftë ne të gjallëve, që po e lemë të vdesë ky qytet me dritë perëndie!
Poradecar edhe lind edhe bëhesh! Por, edhe zhbëhesh!
Ju poradecarë të lindur e ju të bërë, shpëtojeni shpirtin tuaj dhe mos heshtni! Mos heshtni, sa nuk është shumë vonë!
Ja, dhe i ardhshmi Pogradec Mar(r)ina… Kuje, o Kuje!
(Titulli redaksional)


