Një francez braktisi në Berat një qen.
Qeni francez iu shtua lukunisë së të ngjashmëve të tij në Berat.
Qentë e Beratit e mirëpritën në gjirin e tyre vëllain e tyre francez me të gjitha nderet dhe respektet si e lyp në kësi rastesh mirësjellja, veçanërisht tradita.
Qentë beratas, përveç virtyteve të racës së qenve si syçelësia, besnikëria etj, mishëronin edhe veset përkatëse: Kuisnin orë e pa orë vend e pa vend. I turreshin të njohuri e të panjohuri. Ndiqnin fëmijët e vegjël nga pas. Ndotnin hapësirat e gjelbra. Kacafyteshin me qentë e tjerë. Respektonin, ç’është e drejta, radhën kur dikush u hidhte ndonjë kockë për ta lëpirë.
Vetëm Ai, qeni francez, nuk bënte prapësira të këtilla.
Francezi nuk i turrej ‘kujt. Ishte i kujdesshëm me njerëzit e njohur dhe të panjohur. Nuk i ndiqte fëmijët nga pas. Priste me durim në fund të rreshtit gjatë sherreve të vakteve të hedhjes së kockave. Kur e ndillje, të vinte duke tundur bishtin nga kënaqësia që e përfille.
Mirëpo, me kalimin e kohës, si për të provuar thënien vizionare e të urtit Popull se: “Qeni qenit i ngjan”, ngjashmëri kjo që nuk njeh kufi shtetesh, pak nga pak e dit’ pas dite, qeni francez nisi të ndryshojë. Humbi shkëlqimin e qimes së lëkurës. U bë pis. Nisi të lehte dhe të kuiste më fort se bashkëqytetarët e Beratit. U vërsulej kalimtarëve nga pas. Kërcente, nga fundi drejt e në krye të rreshtit të kockës.
Pas ca kohe, metamorfoza e qenit francez i ra në sy Bashkisë.
Në një mbledhje enkas për këtë qëllim, Këshilli Bashkiak i blatoi qenit francez Dekoratën e lartë: “Qen, Nderi i Qytetit”.
Pas kësaj, qeni francez, si të gjithë qëntë në kësi rastesh, u qetësua. Vazhdon të shullëhet në diell në mes të qytetit. Kuis dhe leh sa herë i teket. Kuisjet me turi nga hëna të Gavroshit të Beratit dëgjohen deri tutje në Këlcyrë, ndërsa lehjet deri në Tiranë, dhe më larg.
Namir Lapardhaja/ Qen francez në Berat
Leave a comment
Leave a comment

