Përgatiti Besnik Ismailati
Kur bëhet fjalë për vegjetarianizmin dhe veganizmin , parimet bazë janë të ngjashme, sepse të dyja këto dieta përfshijnë konsumimin e ushqimeve me bazë bimore për arsye mjedisore, etike, shëndetësore ose fetare. Por ndërsa vegjetarianët kryesisht përjashtojnë vetëm mishin, veganët ndjekin një dietë shumë më kufizuese duke përjashtuar të gjitha produktet shtazore si dhe të gjitha ushqimet me bazë shtazore si qumështi, vezët dhe mjalti.
Meqë në ditët e sotme dietës vegane dhe asaj vegjetariane po i bëhet një propagandë e madhe, ndoshta ia vlen që çdo konsumator para se të mbajë një dietë të tillë, të njohë përmbledhtazi efektet e saj shëndetësore.
Të mirat e veganizmit:
Një dietë vegane mund t’i ndihmojë njerëzit të humbin peshë, por sikurse edhe një dietë vegjetariane, ajo është e lidhur me një rrezik të reduktuar të sëmundjeve të zemrës dhe kancerit të zorrës së trashë dhe gjirit.
Studimet e fundit mbi efektet e një diete vegane te njerëzit në rrezik të zhvillimit të diabetit të tipit 2, kanë treguar se një dietë me bazë bimore mund të ndihmojë në kontrollin e niveleve të glukozës në gjak.
Edhe pse dietat vegane mund të jenë të pasura me hekur, duhet të dihet se forma bimore e hekurit nuk është aq “e disponueshme” sa hekuri në mish, që do të thotë se trupi nuk e përthith atë me aq efikasitet sa hekuri që gjendet tek kafshët. Megjithatë, kjo marrje mund të rritet duke kombinuar hekurin me bazë bimore me ushqime të pasura me vitaminë C, si me portokalle, domate dhe speca, sepse vitamina C ndihmon trupin të përthithë më mirë hekurin.
Efektet negative:
Veganizmi nuk garanton automatikisht shëndet të mirë. Dikush që praktikon një dietë vegane mund të hajë patate të skuqura në çdo vakt , por ai nuk do t’i bëjë ndonjë favor të madh trupit të vet.
Në ditët e sotme së bashku me rritjen e veganizmit ka ardhur edhe një rritje e ushqimeve të gatshme vegane , të cilat kanë kripë, sheqer dhe yndyrë shtesë për të përmirësuar shijen. Ushqimet e përpunuara zakonisht përfshijnë yndyrna të përpunuara dhe përzierje substancash, të cilat mund të dëmtojnë bakteret e dobishme të zorrëve.
Dietat vegane të planifikuara keq mund të mos ofrojnë mjaftueshëm niacinë, riboflavinë (vitaminë B2), vitaminë D, kalcium, jod, selen ose zink, të cilat janë të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit të mirë .
Veganët mund të jenë në rrezik më të madh për t’u bërë anemikë për shkak të mungesës së vitaminës B12 dhe omega-3, të cilat mund të shkaktojnë lodhje dhe paaftësi për t’u përqëndruar, veçanërisht te të rinjtë.
Ekziston një lidhje midis veganizmit dhe densitetit më të ulët të kockave , gjë që mund të çojë në një rrezik të shtuar të frakturave.
Nëse dikush dëshiron të ndryshojë ushqimin e zakonshëm, por nuk dëshiron të bëhet vegan, atëhere dieta mesdhetare, e cila renditet si një nga dietat më të shëndetshmet në botë me perime, fruta, fasule, thjerrëza, arra, vaj ulliri, bukë integrale, oriz kaf dhe peshk. Kjo dietë nuk e eliminon mishin, por e kufizon marrjen e tij.
Ndjekja e një diete mesdhetare lidhet me një shëndet të mirë të përgjithshëm, e cila mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit, hipertensionit dhe obezitetit, në reduktimin e rrezikut të disa llojeve të kancerit dhe depresionit.
Të qenit vegan nuk është mënyra e vetme për t’u ndjerë mirë, prandaj askush nuk duhet të fiksohet për një mënyrë të veçantë të ushqyeri, por është më mirë që të konsumojë një dietë të shëndetshme dhe të larmishme.
Çdo konsumator duhet të kuptojë dhe të dijë se çfarë ushqimi ha për të siguruar një konsum të ekuilibruar me sasitë e duhura të proteinave, karbohidrateve, yndyrave, vitaminave dhe kripërave minerale, sepse problemet shëndetësore janë ngushtësisht të lidhura me dietën ushqimore që ai përdor.
Në këtë kuptim, kushdo që mendon të bëhet vegan, duhet të jetë i vetëdijshëm për mangësitë e mundshme dietike.
Si konkluzion mund të thuhet se veganizmi është një mënyrë jetese dhe jo thjesht një dietë, prandaj edhe kalimi në një mënyrë vegane të të ushqyerit kërkon angazhim dhe planifikim afatgjatë. Veganizmi duhet të aplikohet me kujdes , pasi të merret këshilla e mjekut, për t’u siguruar që organizmi të marrë të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për të bërë një jetë të shëndetshme dhe të rehatshme.

