Qysh mbrëmë, pas emocioneve të bukura që përjetuam, më shtjellen ca fjalë, që duan të dalin. Dhe ja po ulem t’i shkoj një nga një, në rruzaren e mendimit.
Mesa duket djemtë e kombëtares kanë “Marrë fjalë”, kanë marrë fjalë prej legjendarit, se do i mbrojë e do tu prijë, për ta çuar deri në fund këtë garë të bukur.
Jo, rastësisht kënga e pishtarit të lirisë bëhet hymn në ekipin më të bukur kombëtar. Kjo jo vetëm se fituan, për mua do ishte e njëjta ndjesi edhe po të humbisnin.
Siç shihet në foto, ata përfaqësojnë gjithë Shqipërinë, dhe e sollën në mënyrë krejt natyrale me një energji sikur janë rritur në një lagje, atë bashkim kaq të ëndërruar.
Në kontrast të plotë me shtetarët që rrinë të ndarë, ata këndojnë për Kosovën, duke i dhënë mesazh nga stadiumi kombëtar gjithë botës, që shqiptarët janë të njëri- tjetrit, pavarësisht seç broçkullisin shtetarët dhe politika. Aty ishin të gjithë delegatët si dikur moti. Mesa duket intuita e trajnerit që i mblodhi, ka qenë e pagabueshme, se vetëm duke ia mbledh të gjitha gjymtyrët, këtij trupi të copëtuar, ai do ia dali të ngrihet dhe të fitojë.
Ata kanë marrë fjalë, çfarë fjalësh po na dërgojnë burrat nga përtej; që të jemi bashkë, që të dimë të ndërtojmë lirinë për të cilën ranë; që të ndërgjegjësohemi për të marrë në dorë fatet tona, për të mos lejuar nëpërkëmbjen nga “ armiku “ më i madh, që është vetvetja.
A do e marrim, a do e mbajmë dot fjalën e tyre të larë në gjak?
Ja kjo pyetje më mundon, tek shoh banderolat, portretin e komandat Katana 138, që shkelmoi i pari gurin e kufirit. Tek dëgjoj thirrjet, Çamëri, Shqipëri etnike, etj. Lufta për liri është lufta më e shenjtë, dhe ne kemi detyrim ndaj atyre që dhanë jetën, për të ndërtuar një vend më të mirë.
Por, ta duash atdheun, ka sprova, jo valëvitje flamujsh, këngë 3 minuta, tundje gishtash, apo pankartash.
Nis që kur del nga shtëpia, te respektimi i të drejtave dhe detyrimeve. Të mblidhesh jo veç për një ndeshje, por për çdo kauzë që dëmton dinjitetin dhe vendin, duke mos lejuar militantizmat dhe indoktinimet, por të mbrosh vlerat dhe të drejtat e çdo shqiptari si të tuat.
Tashmë ne jemi para sfidave më të vështira, do arrijmë të integrohemi e të bëhemi shtete me mirëqënie, larg mafies dhe poshtërsive, apo do vazhdojmë të shpopullohemi, t’ua lëmë vendin banditëve, si frikacak dhe të dështuar, e të kthehemi për të parë veç ndeshjet e të këndojmë për ata burra që nuk i arrijmë dot, madje edhe po i turpërojmë me veprimet dhe mosveprimet tona.
Atdheu ka dërguar fjalë, në atë stadium ku ishte e gjithë shqiptaria. A do kemi vesh ta dëgjojmë, a do kemi sy ta shikojmë?
Uroj që po, që të mos shkoj dëm mundi dhe sakrifica shekullore e këtij kombi që ka hequr keq.
Kosova është plagoma jonë, ende nuk ka tharë varret. Ndaj të gjithë duhet ta ndihmojmë të shërohet, më së paku duke u dashur, duke mos ua rritur çmimet, e vënë trarë, po njëjtë si në atë stadium të përqafuar ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Sa më të fuqishme të jenë shtetet tona, aq më i fuqishëm është kombi, për të mbështetur edhe ato gjymtyrët e mbetur jashtë, që dhunohen e diskriminohen.
Jasir Asani, ky djalë që shkëlqeu në fushë, vjen nga një trevë ku diskriminimet kanë qenë të dhunshme, mjafton të shohësh të jatin e tij në një intervistë para ca vitesh, për tu futur në lëkurën e tij, në emocionin e tij kur luan me fanellën kuq e zi. Uroj që fusha kombëtare tu hapi prespektiva suksesi në karrierën e tyre, këtyre djemve që ia kanë dalë me shumë sakrifica, edhe për faktin që janë shqiptar. Se ne përfaqësohemi nga një shtet që të turpëron, nuk të mbron, dhe për pasojë askush nuk të respekton.
Edhe unë mora fjalë, për të thënë troç ca fjalë,
se kam parë ca statuse të shëmtuara e ca foto që nxisin dhunë, krahas entuziazmit të fitores:
Shqiptarët kanë identitetin e tyre europian, as arab as turq, shënimi i emrave të lojtarëve si myslyman qëllimisht, është tradhëti e hapur. Një nga pikat ku sulmojnë fort serbët, është islamizimi i Kosovës, për ta futur në përçarje dhe për ta larguar nga vlerat europiane. Kuptojeni këtë. Ne kemi identitetin tonë.
Pankartat që mbanin në duar disa ekstremist, për të nxitur vrasje etj etj, janë përdhosje e gjakut që është derdhur për liri. Përdhosje e vlerave dhe traditave, për të cilat kanë luftuar të parët tanë.
Qëndrimi i shtetarëve tregon se duhet sa më parë, të bëjme zap bijtë e këqij. Dhe kjo është detyrë kombëtare që nuk zgjidhet në stadiume, po me protesta në sheshe.
Sa më parë ta kuptojmë atë çka thotë Konica, se:
“ Shqiptarët ndahen në dy pjesë; nga njëra anë ata të kombëtarisë, pa dallim feje, krahine e ideje, dhe nga ana tjetër zuzarët”, aq më shpejt do mundemi të largojmë zuzarët nga drejtimi i shteteve tona, aq më shpejt do i kthehemi identitetit që duan të na i zhdukin me anë të kishave e xhamive.
Ne jemi populli pagan, që u krishtërua natyrshëm dhe u islamizua me dhunë, por jemi edhe shqiptarët e kanunit, që nuk heqim dorë nga tradita, prandaj kemi mbijetuar.
Kjo është sfida, të largojmë zuzarët, duke qenë bashkë, duke e bërë këtë vend, i cili edhe pse është më i pasuri në rajon, ka popullsinë më të varfër. Kjo është atdhedashuri, jo tifozllëku për dy orë.
Zoti qoftë me ne!




