“I përveçmi” mund të quhet Leonidha Dhrami, mësuesi ynë, i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe!
Mezi i dallojmë nga prindërit tanë, mësuesit e asaj kohe.
Se, të dy palët, d.m.th. nga njera anë ata (mësuesit dhe prindërit tanë), dhe nga ana tjetër ne (nxënësit/bijtë/bijat e tyre) si në një lojë-lufte të pa-shpallur, bënim gjithçka të respektoheshim reciprokisht.
Mësueset dhe prindërit bëheshin bashkë, “përballë” nesh! Fëmijë të tyre ishim.
Na i thoshin gjërat, por jo të gjitha, gëzoheshin kur ne u bindeshim, por mbase edhe më shumë kur bënim sikur u bindeshim se ashtu…ishte koha…për ca gjëra.
Nëse ndodhte t’i shikonim prindërit tanë duke folur vetëm për vetëm me mësuesit tanë, ndjeheshim edhe më mirë, më të mbrojtur, por edhe më të zbuluar: se kodi mes tyre ishte tjetër…
Ndaj nuk reshtim së nderuari e respektuari mësueset e Selenicës, të të gjithë viteve…Edhe pa na dhënë mësim direkt, ne të gjithë i thërrasim të gjithë ata mësues apo profesor…
Megjithatë, Leonidha Dhrami…ishte dhe do mbetet i përveçëm.
Se ishte mësuesi pasionant dhe i përkushtuar i Gjuhës Shqipe.
Tek unë ka mbetur imazhi i Tij teksa shkruante titullin e mësimit dhe çështjet kryesore të tij, në dërrasë të zezë, me shkumës të bardhë…
E Bardhë edhe rruga për Andej, profesor!