Sot në ditën botërore të mësuesit zgjodha të publikoj një postim qe kam bërë disa ditë më parë në gupin “Mësuesi Per Mësuesin”
Përshëndetje të gjithëve!
Sapo kam shkelur në vitin e dyzetë të punës si mësues matematike.
Në fillim po tregoj një histori e më pas do të ngre një çështje.
Kur isha nxënës në klasën e gjashtë, erdhi mësues matematike në shkollen time i paharruari Neshat Dyrmishi.
Për tre vjet me radhë ai ishte gjithçka për mua. Nëse deri atëherë, si çdo fëmijë, unë kisha patur ëndërrat e mija qe lëviznin andej-këndej sa aktor, doktor, sportist apo piktor, ato kohë zgjedhja ime ishte të bëhesha mësues matematike. Aq shumë e pelqeja atë njeri, aq shumë e vleresoja për stilin e komunikimit dhe njohuritë që kishte.
Në të ardhmen unë u bëra vërtet mesues matematike, por duhet ta pranoj se kjo nuk ndodhi për shkak të vendimit tim të fëminisë, por sepse rrethanat e jetës më çuan aty. Sidoqoftë ka qenë diçka që më ka pëlqyer gjithmonë, në çdo moshe timen dhe jam përpjekur sa kam mundur t’i ngjaj mësuesit të ëndrrave të fëminisë sime.
Vite e vite më vonë, si mësues kujdestar i një klase maturantësh, në një takim të fundit në mbyllje të shkollës ata, (po them paraprakisht se ishte një klasë me një nivel shumë, shumë të lartë), më pyetën se çfarë do t’u rekomandoja atyre për studimet e mëtejshme.
Duke qenë se nuk isha i përgatitur për këtë pyetja, vendosa të vazhdoj të luaj rolin e mësuesit, por edhe plot besim në atë që mendoja dhe u thashë:
-Matematikë. Shumica e juaj duhet ta vazhdojnë matematikën.
Kundërshtuan haptas por nuk e kam fjalën këtu.
Në fakt vetëm njëra prej 35 nxënësve të klasës vazhdoi për matematikë dhe ajo sot është mësuese e matematikës në një gjimnaz në Konektikat, SHBA, por ajo që është e çuditshme dhe e pabesueshme është se dje u përpoqa të beja një llogari se ku janë e çfarë kanë arritur nxënësit e mij përgjatë 40 vjetëve dhe midis shumë konstatimeve e mbresave shumica e të cilave janë absolutisht pozitive, unë po evidentoj vetëm një, atë që më duket më e pabesueshme e më e dhimbshme se gjithë të tjerat që është:
Vetëm 3 nga nxënësit e mij sot janë mësues matematike.
Vetëm 3.



