“Si është e mundur që edhe kur e kuptojnë dhunën dhe të keqen, njerëzit nuk i bashkohen ndryshimit?”. Kështu pyet filozofja franceze Simon Weil në librin e saj ” Për nënshtrimin dhe Lirinë”. Një pyetje që duket sikur i drejtohet fuqishëm gjithë shoqërive, e veçanërisht shoqërisë së sotme shqiptare, ku kundërshtimi i njerëzve të fjalës për keqqeverisjen, për mungesën e lirisë apo për mungesën e së drejtës, nuk arrin të prodhojë më një bashkim forcash për të ndalur pushtetin që ta praktikojë kaq hapur atë.
Ne mund të gjejmë dhjetëra justifikime për këtë mosbashkim forcash, mund të akuzojmë këdo që pengon një ringritje morale, mirëpo, justifikimi thjesht do të na falë një qetësi të rreme e të përkohshme, ashtu si ilaçet që pihen në mbrëmje për pushimin e dhimbjeve të kokës apo të stomakut, por pa shkuar drejt shkakut që e shkakton atë dhimbje, që na ther të gjithëve deri në palcë.
Kjo mungesë e fuqisë për të kundërshtuar dhunën duket se vjen edhe si një pasojë e epidemisë që ka prekur fuqinë e fjalës, pra, një epidemi që prej kohësh ka prekur kuptimet që zgjojnë ndërgjegje. Epidemia e humbjes së fuqisë së fjalës, e fuqisë shprehëse të ideve, mund ta sjellë një pasojë të parikuperueshme në gjithë kulturën tonë.
Prej kohësh, p.sh., z. Rama ka përfshirë talljen në përditshmërinë politike me kundërshtarët politikë, me qytetarët apo median, në vend të debatimit të ideve. Por diskutimet e përditshme në dritaret sociale ndaj talljes së Ramës, në vend të debatimit të ideve, mbulohen me sharje, me mallkime. Pra, në vend të ideve ushqehet instinkti, dhe në botën e instiktit fiton mbijetesa, e jo jeta me dinjitet.
Rikthimi te rebelimi ndaj së padrejtës, ndaj dhunës së pushtetit nis nga rikthimi i fuqisë së fjalës, nga rikthimi te besimi dhe të idetë, jo te adhurimi i një personi apo te mallkimi i një tjetri.
Kotësia e komunikimit të sotëm është një oaz për qeveritë e sotme, për ta parë shoqërinë të shtrirë në krevatin e bindjes, madje me puplat e spektaklit që qeveria dhe ortakët e saj në biznes ia japin me kënaqësi, për sa kohë shqetësimet e tyre nuk i drejtohen pushtetit. Rebelimi rrezikon t’u mbetet ëndrrave nëse zërat që mendojnë nuk do guxojnë për të mbrojtur atë që besojnë.
Në këtë aspekt mbetet sifë për ne pyetja që bën filozofja Weil: “Kur e dimë se bindja sjell me vete rreziqe jo më pak të vogla se rebelimi, si ka mundësi që bindja të vijojë të jetë më e fortë në jetët tona se sa rebelimi?”.
Agim Baçi/ “Si është e mundur që edhe kur e kuptojnë dhunën dhe të keqen, njerëzit nuk i bashkohen ndryshimit?”
Leave a comment
Leave a comment

