Sot befas qielli i kujtesës m’u ça më dysh
dhe ndodhi para meje Zbulesa e Parë:
një univers i pasosur me rrëzëllime miqësish
të rroposura nga kataklizma e ndarjes.
Përmes mjegullës dhjetëvjeçare të harresës
tash s’e kam vështirë të shoh ca fytyra miqsh,
që më patën pritur në oborr të Pilatit
në natën e gozhdimit tim në kryq
O ish-shokë! O ish-miq! O të dashur ish-ër!
Po ju thërras sa trembem nga zëri im i çjerrë.
A e dëgjuat gjelin e profecisë pas mesit të natës
kur këndoi për të tretën herë?
E pra, profecia u bë: më humbët, ju humba,
ju humba, atje, në fund të kodrës së Kalvarit.
Vallë, a ju kujtohet ajo darka jonë e fundit
kur ju pata larë këmbët me duart e mallit?
Pas dyzet viteve, ju do të vini vëllezër
të më përqafoni te Udha e Madhe e gjithë Mirësive,
por nuk do të më gjeni dot, mua, Shën Budallain
që ju pata dhënë dashuri të pakthyeshme.
*Ndoc Gjetja (Bërdicë, 9 mars 1944 – Lezhë, 7 qershor 2010) një poetët e njohur shqiptar.
Është autor i disa vëllimeve poetike. Ndërroj jetë më 7 qershor 2010.