Në messenger dje në mbrëmje më vjen një mesazh nga një grua emrin Lilianë që zotohej se do të më dhuronte 950.000 euro.
Janë këto mesazhet tipike që qarkullojnë në rrjetet sociale.
Sot në mëngjes teksa pija kafen imaginata e shfrenuar më çoi te Liliana.
Sikur Liliana të m’i jepte me të vërtetë ato 950.000 euro, çfarë do të bëja?!
Dhe fillova të notoja në ujrat e një ëndrre të bukur.
Shihja veten teksa blija një shtëpi në pjesën e vjetër të një qyteti evropian. Më pëlqen pjesa e vjetër e çdo qyteti evropian. Është gjithmonë e mbushur me turistë dhe zhurma e turistëve është e pangatërrueshme. Njerëz që hyjnë e dalin nga dyqane, fytyra të qeshura, sy të përqëndruar për të bërë një fotografi, duar që shtrëngohen e puthje që shkëmbehen.
Njerëzia është krejt e bukur kur ështe me pushime.
Shihja veten në rrugicat e një qyteti të vjetër dhe në auditoret e një universiteti po aq të vjetër evropian, teksa studioja letërsi, filozofi, art e plot gjëra të tjera.
Shihja veten në perëndimin e një dielli të ëmbël dhe në agun e një mëngjesi të ri.
Zgjati disa minuta ëndrra e titulluar ” Sikur Liliana” derisa një zë , i barabartë me shuplakën që të jep dikush për të të sjellë në vete kur je në gjendjen e të fiktit, thërret nga larg ” Hekra të vjetra kush ka me shit!”.
Post Scriptum- Përmendem. Mbaroj kafen dhe në qiellzën time mbetet shija e një ëndrre.


