Pyetje : kush është pija më e shëndetshme për njerëzit me diabet ?
Pa dyshim uji është pija perfekte. Nuk ka kalori, sheqer ose karbohidrate dhe është lehtësisht i siguruar.
Disa pije joshëse ose në dukje të shëndetshme nuk janë të mira për njerëzit me diabet… por mund të përshtaten në dietë e diabetit nëprëmjet shkëmbimeve ose versione të thjeshta shtëpiake që gjithsesi mund të kënaqin dëshirën për to.
Pyetje : Kam dëgjuar se kafeja bën mirë për diabetin, është e vërtetë ?
Kafeja është pjesë e stilit të jetës, përdoret gjerësisht dhe përbën një zakon të formuar për shumicën e njerëzve. Të gjithë njerëzit me diabet duan të dinë për përdorimin e kafesë.
Le të flasim në fillim për të mirat dhe të këqijat e kafesë në përgjithësi e më pas për përdorimin e saj te njerëzit me diabet.
Njerëzit e pinë kafen jo për shijen e saj, por kryesisht për efektet që shkakton kafeina që ajo përmban. Kafeina është droga më e përdorur nga njerëzit. Euforia e lehtë që shkakton nëpërmjet stimulimit të sistemin nervor qendror, përbën shkaku kryesor pse njerëzit përdorin kafen dhe pije të tjera që përmbajnë kafeinë. Kafeina ndodhet në kokrrën e kafesë, gjethen e çajit, kokrrën e kakaos prej së cilës bëhet çokollata.
Dhjetëra studime janë bërë në vite për efektet e kafesë mbi shëndetin. Më të hershmet e lidhnin atë me kancerin gjirit, pankreasit, dhe sëmundjet e zemrës. Por shumë nga këto studime kishin një të metë të madhe. Nuk llogaritnin zakonin e shoqërimit të kafesë me cigare. Studime më të kujdesshme treguan se ishte duhani dhe jo kafeja që shkaktonte këto probleme shëndetësore. Kjo nuk do të thotë se kafeja është si uji. Si gjithë drogat, kafeina e kafesë (dhe e çajit) ka efekte anësore. Përdorimi i tepërt i kafesë shkakton ankth, irritim, djersitje, dridhje të duarve, pagjumësi dhe mungesë përqendrimi. Shkakton gjithashtu, shpejtim të rrahjeve të zemrës, rritje të tensionit arterial, kolesterolit dhe prodhimit të hormoneve të stresit. Pakëson qarkullimin e gjakut në tru nëpërmjet ngushtimit të enëve të gjakut. Besohet se shkakton atak të zemrës, te personat zemra e të cilëve është e dëmtuar nga sëmundje si diabeti, hipertensioni etj. Personat që pinë shumë kafe, mbi 4 në ditë, mund të kenë osteoporozë dhe thyerje të kockave si rezultat i humbjes së kalciumit dhe magneziumit. Kafeja ekspres ose kafetë që nuk filtrojnë nëpër një fletë filtri rrisin kolesterolin disa shkallë. Kafeina pret oreksin, rrit etjen dhe shton urinimin. Mbidoza e kafeinës shkakton gjendje të ngjashme me atakun e panikut, prandaj para se të përdorni qetësues, vlerësoni sasinë e kafeve që konsumoni.
Por kafeja ka dhe efekte pozitive, gjithmonë kur pihet në sasi të moderuar. Dhe sasi e moderuara konsiderohet 50-200 mg kafeinë në ditë. Kafeja pakëson mundësinë për gurë në veshka dhe gurë në tëmth, “të hap sytë në mëngjes” dhe të përmirëson aktivitetin intelektual.
Për sa i përket diabetit nuk ka të dhëna se kafeja ndikon drejtpërdrejt mbi të. Por kafeja me sheqer rrit gliceminë, sidomos kur pihet esëll. Sheqeri i kafesë është mirë të llogaritet në sasinë e përgjithshme të karbohidrateve. Është mirë gjithashtu që kafeja të pihet pas ngrënies, me barkun plot. Ajo mund të ëmbëlsohet shumë mirë me ëmbëlsuesit pa kalori.
Në çdo rast efektet e kafesë mbi zemrën duhet të kihen parasysh, sidomos te të moshuarit, mbasi sëmundjet kardiovaskulare janë më të shpeshta dhe më të rrezikshme për jetën e njerëzve me diabet. Duhet të kihet parasysh gjithashtu se kafeina mund të rëndojë hipogliceminë, në sajë të efektit që ka mbi glikogjenin e mëlçisë. Nuk duhet nënvleftësuar edhe pagjumësia që shkakton si edhe ndikimi i kësaj të fundit mbi diabetin.
Si përfundim njerëzit me diabet nuk duhet të pinë më shumë se dy kafe në ditë. Është më mirë kafen ta pini pas ngrënies, ndërsa kafen e mëngjesit ta ëmbëlsoni me ëmbëlsues pa kalori.
Të gjitha sa thamë për kafen vlejnë edhe për çajin, që është pija më e përdorur në botë, pas ujit.



