Ish kryeministri Sali Berisha tha se, PD ka dorëzuar në parlament prej disa muajsh, ligjin për minimumin jetik. Ai tha se, ka vetëm një zgjidhje, vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh për person.
“Në të gjitha aspektet, ka vetëm një zgjidhje emergjente dhe kjo zgjidhje është vendosja e minimumit jetik për të gjithë shqiptarët.
Vendosja e minimumit jetik, e llogaritur kjo nga Avokati i Popullit dhe i përllogaritur me ndihmën e ekspertëve më të mirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, pra, vendosja e tij sipas kësaj shifre është përgjigjia e vetme e domosdoshme ndaj situatës alarmante të krijuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetës së qytetarëve.
Në këtë kontekst, PD ka dorëzuar në parlament prej disa muajsh, ligjin për minimumin jetik. Ajo do bëjë të gjitha përpjekjet për votimin e kësaj ligji, i cili është plotësisht i përballueshëm.
KLSH ka gjetur se në një vit, qeveria ka vjedhur dhe shpërdoruar 130 miliardë lekë. Nëse vetëm 40 përqind e këtij fondi do të mund të kursehej, minimumi jetik vendosej duke filluar nga muaji i ardhshëm.
Qëndrimi ndaj këtij ligji dhe ndaj minimumit jetik është një gur prove për të gjithë deputetët e parlamentit, është një akt me të cilin ata dëshmojnë ndjeshmërinë ndaj zgjedhësve shqiptarë.
Por është edhe një ndjesë publike që ata u kërkojnë shqiptarëve për dyfishimin, për rritjen stratosferike të rrogave të deputetëve, akt i cili nuk mund të paqtohet nëse nuk bëhen disa votime të rëndësishme në favor të qytetarëve.
Vendosja e minimumit jetik prej rreth 200 euro për person është një akt që financiarisht përballohet pa asnjë vështirësi. Përballohet vetëm duke reduktuar abuzimet dhe vjedhjet në buxhetin e shtetit”, tha Berisha.
Berisha: E vetmja zgjidhje, vendosja e minimumit jetik 200 euro për person

Leave a comment Leave a comment