Me një status në rrjetet sociale, Lulzim Basha, kreu i PD zyrtare ka nderuar kujtimin e prijësit të Lëvizjes Studentore në dhjetorin e vitit 1990, Azem Hajdari, i cili u ekzekutua më 12 shtator 1998, para selisë së PD.
“Kurajo, antikonformizimi dhe vendosmëria përkundër fuqive në dukje më të mëdha janë testamenti i jetës politike të shkurtër por të pashoq të Azem Hajdarit”, shkruan Basha në postimin e tij.
Reagimi i plotë:
25 vite më parë u vra pabesisht Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore që me veprën e tij të pavdekshme u bë simboli i vullnetit të shqiptarëve në përballjen me regjimin komunist dhe i ngadhnjimit të lirisë mbi diktaturën.
Kurajo, antikonformizimi dhe vendosmëria përkundër fuqive në dukje më të mëdha janë testamenti i jetës politike të shkurtër por të pashoq të Azem Hajdarit. Angazhimi politik për Azem Hajdarin ishte një instrument për ti shërbyer njerëzve dhe jo vetes, për të përmirësuar dhe ndryshuar jetët e shqiptarëve të etur për ndryshim dhe jo për të ringritur sarajet e reja të luksit dhe pushtetit personal mbi muret e vjetra të arrogancës, korrupsionit dhe hipokrizisë së regjimit komunist.
Kontributi i tij në altarin e lirisë dhe demokracisë do të nderohet përherë si dëshmia më domethënëse e forcës së një populli të shtypur dhe nëpërkëmbur për të sfiduar frikën dhe apatinë, për të triumfuar mbi të keqen dhe për të ndërtuar përmes lirisë një të ardhme të denjë për çdo shqiptar.
I paharruar kujtimi i tij!



