Mënyra se si shprehet, shpjegon apo ligjëron një person, ka shumë rëndësi tek ata që e dëgjojnë. Në profesionin e mësuesisë kjo ka një rol vendimtar në tërheqjen e vëmendjes, koncentrimin dhe interesin për lëndën e shpjeguar. Një ligjërim i njëtrajtshëm, monoton mund të jetë shumë i mërzitshëm për ata që e dëgjojnë, aq më pak te nxënësit dhe studentët.
Një ligjërim me ngritje dhe ulje të zërit, me pushime të shkurtëra, me ngjyrime të ndryshme të zërit, do të jetë shumë efektiv në nxënien e lëndës së shpjeguar dhe ruajtjen e qetësisë në klasët e shkollave të ndryshme apo në sallat e ligjëratave në fakultet.
Nëse një arsimtar apo profesor flet me zë të lartë, nuk do të thotë automatikisht se do të zgjojë vëmendjen dhe kërshërinë tonë maksimale.
Profesori ynë i Estetikës, nuk kishte nevojë të ligjëronte me zë të lartë për të na tërhequr vëmendjen për temën e shtjelluar gjatë ligjëratave. Kur e dëgjoje të krijohej përshtypja sikur je pranë një plaku të urtë, që t’i jep këshillat më të mira, fryt i përvojës së tij jetësore. Të dukej sikur të thoshte: Dëgjo nipi im apo djalosh, për të mirën tënde e kam!
Ishte edhe diçka, ajo që e quajmë ORË te ne shqiptarët, për një njeri, ku vetëm prania e tij të zgjon respekt.
Ligjërimi i pastër, i prajshëm, me ngritje e ulje të herëpashershme të zërit, dhe veçanërisht përmbyllja e bënte të dallohej shumë nga profesorët tjerë.
Përfundimi, rezymeja apo shtjellimi i temës së shtjelluar në pika të shkurtëra, me pak fjali të qarta, të kuptueshme, më bënte gjithmonë përshtypje. Këtë veti nuk e hasnim te profesorët tjerë. Kjo e bënte unik dhe të veçantë.
Besim Hoxha/LIGJËRIMI
Leave a comment Leave a comment