Kreu i PD, Sali Berisha në konferencën e përjavshme me mediat ka folur për deklaratën e Fredi Belerit për helenizim të Himarës.
Berisha tha se Beleri e ka patur fjalën për pronësinë e tokave të himariotëve që i takojnë atyre.
Lideri demokrat ka akuzuar Ramën se është antishqiptar.
“Nuk heq asnjë presje për gjërat që kam thënë, por siç e dini, Himara është një komunitet i përzier. Në Himarë ka shqiptarë, grekë, veneciane e me origjina të ndryshme siç janë portet. Lidhur me problemin, antishqiptari më i madh i kohërave është Edi Rama dhe nuk mund të përdorë si gjethe fiku. Nëse lexoni me vëmendje deklaratën e Belerit, flet për pronësinë e tokës dhe Rama i referohet kësaj. Pronat të cilat u përkasin himariotëve të jenë të himariotëve. Beleri nuk mund të bëjë e çbëjë historinë. Himara mbetet bastion i shqiptarizmit, por ka 2 gjëra të pamohueshme. Ka një seri fshatrash bilinguale dhe vetë qyteti i Himarës ka qytetarë me origjina të ndryshme, shqiptare, greke e veneciane. Ky që bën bububume nga këto është antishqiptar nga koka te këmbët. Kujt ia shet ai patriotizmin?” – u shpreh Berisha.