Imazhi yt mbi kujtesën e djerrë
si dregëza statujash mbi tokën e belbër.
Mbi dyshemenë e shpirtit ky miell i verdhë…
Ç’mynxyrë paska bërë mola e brengës!
Thellësive të harresës të zbrezësh i kërrusur,
a ta derdhësh veten në kallëpet prej dylli? …
Oh, ç’bar helmi kullosin çaireve të gushës
qengjat e lotëve dalë prej shtrungës së syrit.
Foljet e pandehmave krejt lakuriq
hidhen me radhë në ujrat e mërisë.
Shpresa gërryen malin e të shkuarës si urith,
por në gjinjtë e të ardhmes mëndet me sisë.
Shpuritet mes hirash harabeli i kujtimit.
Fantazmat hanë me grushte flutura morti.
U bëmë ne dhe u shtirreks filli:
s’mbetën më llamarina në kovaçanën e Zotit.