Shumë liderë të njohur të botës së politikës dhe të biznesit shfaqin shenja të narcizmit, të psikopatisë dhe të makiavelizmit – të njohura si “Triada e Errët” e personalitetit. Ja pse kjo gjë është e dëmshme për organizatat.
Teoria psikologjike e personalitetit, e njohur si “Triada e Errët” – narcizmi, psikopatia dhe makiavelizmi – shpesh mbart një nuancë ogurzezë. Kur bëhet fjalë për liderët, studimet kanë treguar se këto tipare tregojnë një marrëdhënie komplekse me lidershipin dhe efektivitetin e liderit.
Pavarësisht se është në përpjesëtim të zhdrejtë me përgjegjshmërinë, performancën e punës dhe arritjet e përgjithshme, nga ana tjetër, Triada e Errët lidhet pozitivisht me karizmën, kreativitetin, të menduarit strategjik dhe aftësitë e komunikimit.
Individët me këto tipare të errëta mund të duken të suksesshëm në disa kontekste të situatave të caktuara, veçanërisht nëse puna e tyre kërkon një stil të sjelljes racionale dhe pa emocione, gatishmëri për të marrë përsipër rreziqe dhe fokusin tek arritjet, edhe nëse këto duhet të vijnë me dëmtimin e të tjerëve. Kështu, këta individë mund të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë efektive në nivel individual, por duke dëmtuar nga ana tjetër të gjithë organizatën.
Liderët e Triadës së Errët mund të krijojnë një mjedis toksik, i cili mund të jetë i dëmshëm për punonjësit, kolegët dhe organizatën në tërësi.
Pra, cilat janë këto tipare të errëta dhe si mund t’i dallojmë ato?
• Psikopatia – ndjesia e përhershme e pafajësisë, nivelet e ulëta të ndjeshmërisë dhe të përgjegjësisë, shenjat egocentrike dhe impulsiviteti
• Makiavelizmi – mungesa e mëshirës, egoizmi, personaliteti manipulues
• Narcizmi – ndjesia e epërsisë personale, zilia për suksesin e të tjerëve, shfrytëzimi i të tjerëve
Megjithëse secili prej këtyre tri tipareve të Triadës së Errët ka elemente që i dallojnë ato nga njëri-tjetri, ekzistojnë gjithashtu edhe shumë të përbashkëta midis tyre. Disa nga komponentët më të zakonshëm të sjelljes që gjenden, të paktën në njëfarë mase, në secilën prej karakteristikave të Triadës së Errët, përfshijnë interesin e tepruar për veten, mospërfilljen e pamëshirshme për të tjerët, sjelljen manipuluese dhe indiferencën emocionale.
Nuk është gjithmonë e lehtë që të konstatohet që në fazën e rekrutimit se kush do t’i shfaqë këto karakteristika. Në përgjithësi, individët priren të mos e vënë theksin te tiparet e tyre negative. Individët me këto tipare të errëta kanë akoma më shumë gjasa që t’i nënvlerësojnë ato, për shkak të prirjes së tyre të natyrshme për të folur mirë për veten. Konteksti i rekrutimit ofron një shpërblim të qartë, marrjen e një pozicioni pune, dhe individët me këto tipare të errëta janë të prirur të manipulojnë për të arritur rezultatin e dëshiruar.
Si ndikojnë tiparet e errëta negativisht tek organizatat?
Studimet kanë treguar se, në përgjithësi, tiparet e errëta të individëve lidhen me disa rezultate negative dhe të kushtueshme për kompaninë, duke përfshirë:
• performancën e dobët të punës nga ata vetë dhe vartësit e tyre;
• shtimin e sjelljeve që dëmtojnë produktivitetin në punë;
• reduktimin e sjelljeve qytetare organizative;
• nivelet e ulëta të vendimmarrjes etike;
• perceptimet negative nga të tjerët;
• motivim të ulët të ekipit;
• mundësi më të mëdha për t’u bërë pjesë e sjelljeve kriminale e të paligjshme.
Fatkeqësisht, personat në rolet më të larta kanë më shumë mundësi për të shkaktuar dëme të mëdha ndaj kompanisë. Ata janë në pozicione me influencë, kanë akses në informacione konfidenciale dhe financiare, si dhe janë përgjegjës për marrjen e vendimeve, qofshin këto të mira apo të këqija. Ndikimi i tyre në një organizatë mund të jetë tepër i madh, jo vetëm financiarisht, por edhe në reputacionin e saj. / Fast Company

