Intervistë e Annie Ernaux (Nobel 2022) me Kim Willsher dhënë për The Guardian
Përktheu: Granit Zela
Annie Ernaux është një nga shkrimtaret më të respektuara të Francës dhe ka fituar çmime të shumta për librat, duke përfshirë çmimin Marguerite Yourcenar 2017 për të gjithë veprën e saj. Ajo ishte kryesisht e panjohur në Britani të Madhe derisa libri ime kujtime, “Vitet”, u fut në listën e shkurtër për çmimin ndërkombëtar Man Booker 2019. Libri ishte shumë i shitur në Francë dhe, sipas shkrimtarit John Banville, “përzien kujtimet, ëndrrat, faktet dhe përsiatjet në një përjetim unik të kohërave në të cilat jetuam dhe jetojmë”. Annie Ernaux u vlerësua me Çmimin Nobel për Letërsinë ““për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, zvjerdhjen dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.
E keni shkruar “Vitet” duke përdorur “dikush” dhe “ne” dhe herë pas here “ajo” ose “ata”, por kurrë “unë”, gjë që është e pazakontë edhe për një autobiografi jopersonale…
Kur mendoj për jetën time, shoh historinë time që nga fëmijëria e deri më sot, por nuk mund ta ndaj nga bota në të cilën kam jetuar; historia ime është e përzier me atë të brezit tim dhe me ngjarjet që na kanë ndodhur. Në traditën autobiografike flasim për veten dhe ngjarjet janë sfondi. Unë e kam kthyer këtë në të kundërtën e saj. Kjo është historia e ngjarjeve dhe e përparimitt dhe e gjithçkaje që ka ndryshuar në 60 vitet e ekzistencës individuale, por që është transmetuar përmes “ne” dhe “ata”. Ngjarjet në librin tim i përkasin të gjithëve, historisë, sociologjisë.
“Vitet” rrëfen ngjarjet dhe përshkruan ndryshimet gjatë më shumë se gjysmë shekulli në Francë. Megjithëse ju përmendni ndikimin e ngjarjeve botërore – Beatles, lufta në Irak, 11 shtatori – ajo është përshkruar nga perspektiva franceze. Si është pritur libri në vendet e tjera? U befasuat që u propozuat për Çmimin Ndërkombëtar Man Booker?
Po, jam shumë e befasuar. Por libri është pritur mirë në Gjermani dhe Itali dhe është përkthyer në gjuhën kineze, kështu që duhet të ketë një aftësi tërheqëse që është më e madhe sesa një histori e Francës. Edhe nëse nuk e them drejtpërdrejt, është qartësisht historia përmes një jete individuale, jetës sime dhe përmes kujtesës sime. Unë e rrëfej këtë histori kolektive nëpërmjet ndjenjave dhe kujtimeve të mia. Personazhi kryesor është koha dhe kalimi i saj, i cili merr gjithçka me vete, përfshirë jetët tona.
Është një rrëfim krejtësisht josentimental. Ju zbuloni shumë pak gjëra personale: për familjen, fëmijët, fundin e martesës suaj; shkruani për seksin, por jo për dashurinë. Përmendni Alzheimer-in e nënës, vini re shikimin e syve të maces teksa është ulur, dhe xhelozinë kur ish-dashnori juaj gjen një partnere më të re, por pjesa tjetër është krejtësisht pa emocione…
Nuk jam shkrimtare që përqendrohet tek emocionet dhe kjo nuk është tema e “Vitet”. Çështja nuk është të flasim për personalen. Personalja mund të mblidhet përmes përshkrimeve të fotove. Unë marr një foto [për çdo dekadë] dhe përshkruaj rrobat, dritën dhe e vendos veten në atë moment. Nëpërmjet fotove prek shumë shkurt vdekjen e tim ati dhe të fëmijëve, por nuk flas shpesh për ndjenjay.
Vinit nga një familje modeste – prindërit tuaj kishin një dyqan të vogël – por ju shkuat në universitet. Shkrimtarët francezë me prejardhje nga klasa punëtore, si Édouard Louis, kanë shkruar se si kjo i largoi ata nga familjet e tyre…
Ishte gjë e rrallë, por isha fëmijë i vetëm – motra vdiq para se të lindja unë – dhe ngaqë nëna ime kishte një personalitet të fortë dhe donte të lexonte, unë u nxita të largohesha, por kjo krijoi një largësi mes meje dhe familjes sime. Kjo largësi ishte tema e librit tim të parë 40 vjet më parë.
Nga gjashtë dekadat që mbulon “Vitet”, a ka ndonjë periudhë që ju e shihni si më interesanten, formueset apo të lumtur?
Për sa i përket përvojës kolektive, periudha pak para vitit 1968, koha e Beatles-ave, deri në vitet 1980 ishte ndoshta më interesante. Në planin personal, periudha që ka qenë më e ndritura e jetës sime ishte midis moshës 45 dhe 60 vjeçe, kur kisha përshtypjen se isha vërtet grua e lirë duke bërë atë që dua. Ishte koha e një lirie të madhe për mua, kur ndihesha mirë me jetën.
Po tani?
Tani po plakem. Do të jem 79 vjeçe këtë vit dhe janë gjithmonë ato pak probleme shëndetësore të përhershme dhe lodhja. Është një grua në një nga librat e fundit të Simone de Beauvoir-it, e cila thotë se ka një ëmbëlsi në të pasurit një të kaluar të gjatë pas vetes. Kjo është një nga ndjenjat që mund të kesh në këtë moshë dhe është shumë pozitive. Imazhi i fundit te “Vitet”, është ai i një gruaje të fotografuar me mbesën, ka pak nga ajo lloj butësie kur plakesh.
Për mua, nuk ka të bëjë vetëm me historinë dhe përmbajtjen, por edhe me formën. Ju përshkruani zhvillimin e femërores tuaj në libër, por edhe pështjellimin e grave të brezit tuaj kur përballen me martesën dhe familjet. Çfarë ndjesie keni për feminizmin sot, veçanërisht për lëvizjen #MeToo që ka pasur një pritje kundërthënëse në Francë, me Catherine Deneuve që thotë se ka shkuar shumë larg?
Më erdhi shumë turp nga Deneuve kur tha atë që tha… Ishte reflektim i një grupi grash të privilegjuara. Për të qenë e sinqertë, e pashë… e neveritshme është fjala e duhur. Jam plotësisht dakord. Sigurisht që ka teprime por e rëndësishme është që femrat të mos e pranojnë më këtë lloj sjelljeje. Në Francë dëgjojmë shumë për kulturën tonë të joshjes, por nuk është joshje, është dominim mashkullor. Abuzimi nuk është vetëm në domenin seksual – ai është i pranishëm kudo, përfshinë edhe letërsinë. Shkrimtaret femra paraqiten shumë më pak për programet televizive, ku ka tre burra për çdo grua. Ekziston kjo ide që një grua është një romanciere dhe një burrë shkrimtar…
Ju thoni se keni qenë gjithmonë një lexuese e pangopur. Cilat libra kanë ndikuar tek ju?
Është e vështirë për të zgjedhur. E lexova “Eunuku femër” të Germaine Greer-it në një kohë të jetës sime kur leximi ishte i rëndësishëm dhe ndikoi në mënyrën se si shkruaja. “Neveria” e Jean-Paul Sartre-t, “Seksi i Dytë” i Simone de Beauvoir-it, Virginia Woolf, një shkrimtare e mrekullueshme që e zbulova në të 20-at e mia dhe Georges Perec. Ka libra që kam dashur të lexoj dhe pastaj kam dashur të shkruaj ashtu. Për mua, libri nuk ka të bëjë vetëm me historinë dhe përmbajtjen, por edhe me formën.
Cilët libra po lexoni tani?
Për momentin po lexoj veprën e Lauren Elkin Flâneuse-it: Gratë bredhin qytetet e Parisit, Nju Jorkut, Tokios, Venecias dhe Londrës. Udhëtimi është një aktivitet kaq mashkullor në Francë dhe ajo e ka përshkruar për femrat në një mënyrë interesante.
The Guardian, Prill 2019.
Shkëputur nga Revista Letrare e Tiranës


