Në kulmin e krizës përçarëse më të rëndë që ka përfshirë demokratët shqiptarë, në prag të fushatës zgjedhore vendore vjen një sinjal i fortë për fillimin e tejkalimit të saj, pikërisht prej asaj treve të varfër, e të lënë pas dore nga të gjitha qeveritë shqiptare që prej fillimit të shtetit shqiptar, por që ka qëndruar me identitetin e saj si kreshtë mbi mjegullat e terrin e historisë së shumë shekujve.
Duke parë e vlerësuar këtë situatë krize pa shënja dalje prej saj, një grup i vogël intelektualësh demokratë mirditor, formuluan një letër në formën e një “Thirrje” drejtuar demokratëve për gjetjen e formave dhe mënyrave për tejkalimin e saj, duke i thirrur frymës së bashkëpunimit dhe bashkimit të tyre për të hyrë sëbashku në fushatën zgjedhore dhe për t’jua kthyer Bashkinë Mirditë demokratëve pas 12 vjetësh. Në përgjigje të kësaj “Thirrje” dy javë më parë, u mblodhën në Rrëshen përfaqësues të të dy grupeve të cilët nënshkruan një “Rezolutë Mirëkuptimi”, si dhe vendosën që në takimin e radhës, të avancohet më tej kjo frymë bashkëpunimi duke hedhur hapa përpara drejt bashkimit të tyre në zgjedhjet lokale.
Me datë 5 tetor, u realizua dhe konkretizua kjo frymë bashkëpunimi me nënshkrimin e Deklaratës se krijimit të “Bashkimit Demokrat Mirditor”, me të gjitha kompetencat politike vendore për zhvillimin e fushatës zgjedhore lokale deri në përfundim të zgjedhjeve vendore.
Personalisht mendoj se ky model shprese, është e vetmja mënyrë për t’ua kthyer demokratëve bashkitë e tyre në të gjithë Shqipërinë. Sidoqoftë çdo mendim për ta shtyrë më përpara këtë nismë, do të ishte i mirëpritur!






