Kështu e konsideron ish ministri i brendshëm Flamur Noka, vrasjen që ndodhi mbrëmë në Vaun e Dejës.
Pasojë e përplasjes së grupeve të organizuara kriminale të narkotrafikut dhe policia mbetet spektatore, shkruan ai në “Facebook”.
Ja postimi:
Vrasja e 44-vjeçarit Pjetër Kola, baba i dy fëmijëve, është pasojë e përplasjeve të grupeve të organizuara të narkotrafikut.
Vrasjet “brenda llojit” janë inkurajuar drejtpërdrejt nga kryeministri Rama në daljet e tij të shpeshta televizive.
Policia e Shtetit jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar këtë kasaphanë por përkundrazi, ka qëndruar spektatore duke numëruar viktimat si suksese.
As që kanë ndërmend të punojnë për parandalimin e këtyre vrasjeve. Rrugët janë kthyer në sheshbetejë dhe çdo ditë dëgjojmë për të vrarë e të zhdukur. Policia ka lejuar larjet e hesapeve, vetëgjyqësinë dhe bën sikur nuk i sheh e as i njeh këta kriminelë, duke ua lehtësuar shumë largimin në drejtim të paditur.
Ky është pakti shtet-mafia.
Ky është “vizioni” i kryeministrit për rendin dhe sigurinë publike. Çdo atentat dhe ekzekutim mafioz është brenda pritshmërive dhe lejimi i tyre me vetëdije është po aq kriminal.


