Kryeministri Edi Rama midis të tjerave ka folur dhe për zhdukjen e Ervis Martinaj gjatë bashkëbisedimit me gazetarët dhe qytetarët.
Ai tha se përgjigjja pak a shumë dihet, por policia duhet ta mbështesë në prova dhe së shpejti do ta kemi zyrtarisht përgjigjen.
“Nëse përgjigjja do të ishte aty dhe do të ishte mbajtur e fshehur do të dilte për 9 ditë, por besoj se duhet të keni pak më shumë durim për të marrë një përgjigje përfundimtare dhe unë jam besimplotë që do ta kemi shumë shpejt.
Sepse përgjigjja e Policisë së Shtetit duhet të jetë një përgjigje që duhet të mbështetet dhe në prova, nuk është thjesht një përgjigje të cilën pak a shumë e kemi që sot, por s’mund të thuhet zyrtarisht sepse kërkon të jetë e provuar”, deklaroi Rama.
Kjo deklaratë e kryeministrit Rama është bërë shkak që media dhe portale të ndryshme ta interpretojnë në mënyra të ndryshme apo edhe ngrenë gjithfarë hipotezash.

