Kështu shkruan në “Facebook” ministrja e arsimit Evis Kushi.
Nereida do filloj punë, jo se u ankua, shkruan Kushi, por sepse tani në punë futesh me meritë dhe ajo(mësuesja) është renditur e para në portal.
Ja postimi :
E mirëkuptoj zemërimin e një mësueseje që në takimet e opozitës shpreh zhgënjimin sepse vitet e fundit ka punuar me kontratë me afat dhe kjo mbase i jep pasiguri. Por sot nuk ka më as punësime dhe as largime sipas tekave të politikës apo influencës së korrupsionit.
Sot vendi merret me meritë dhe mbahet me meritë. Kjo me siguri do t’i tingëllonte shumëkujt si propagandë, nëse Nereida vetë s’do të ishte shembulli më kuptimplotë i kësaj të vërtete.
Nereida Omeri nuk është mjaftuar vetëm me ankesat, po edhe ka bërë shumë mirë atë që duhet. Ka konkuruar dhe është renditur e para në portalin “Mësues për Shqipërinë” në Belsh, e dyta në Cërrik dhe e pesta në Elbasan, në profilin Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Kjo do të thotë që ajo jo vetëm do të ketë shumë shpejt një kontratë definitive, por do të ketë të drejtë të zgjedhë mes vendeve të lira, sipas rregullave të punësimit dhe meritës.
I uroj shumë suksese Nereidës dhe dua ta siguroj që punësimi i saj do të jetë i mundur jo nga mbështetja e ministrit, as nga akuzat apo mbështetja e opozitës, por vetëm falë meritës së saj dhe një sistemi punësimi transparent e të shkëputur plotësisht nga politika.
Këtu ndryshojnë e vërteta nga propaganda, këtu ndryshojmë ne nga ata që sot mbrojnë Nereidën si të tyren, ndërsa deri dje i nxirrnin rrugëve të papunësisë vetëm për arsye politike, mijëra e mijëra si Nereida.

