Aksioni i IKMT-së për prishjet te ‘Prestige Resort’ në Golem, e pasqyruar nga gjithë mediat, por edhe me deklarata nga politika, më së shumti opozita, ka bërë që të reagoi edhe Ministria e Brendshme.
Në një deklaratë të dal para pak minutash nga kjo ministri, theksohet, se Leja me firmën e kryeministrit Rama është një leje me kusht, që nënkupton se leja definitive do jepet, kur të plotësohet gjithë dokumentacioni.
Ja reagimi i Ministrisë së Brendshme:
“Pretendimi i mediave të zotit Irfan Hysenbelliu se ndërhyrja e sotme e IKMT është e paligjshme pasi resorti paska leje të miratuar është një tjetër manipulim i opinionit publik. Dokumenti i nxjerrë në mediat në fjalë me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i KKT provon të kundërtën e pretendimit. Leja është një leje me kusht, ku thuhet qartësisht se dokumenti i lejes së ndërtimit do të jepet vetëm pasi të plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse. Asnjëri nga kushtet nuk është plotësuar dhe sot zoti Irfan Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve kthimin e sipërfaqeve të zaptuara si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave”, thuhet në reagim.

