Global Bicycle Index këtij viti renditi 90 qytete në botë për të parë se cilat janë më miqësoret për çiklistët.
Indeksi i vlerësoi qytetet në bazë të përqindjes së përdoruesve të biçikletës, krimit dhe sigurisë, infrastrukturës, kushteve meteorologjike e deri te mundësitë për ndarjen e biçikletës (bike-sharing) dhe aktiviteteve të lidhura me çiklizmin.
Qytetet europiane kryesojnë klasifikimin e vendeve miqësore për biçikletat, falë infrastrukturës me cilësi të lartë, si pistat për biçikleta, dhe kushteve meteorologjike, që përfshijnë një numër të madh ditësh kur mund të ngasësh biçikletën.
Qytetet në SHBA nuk renditen as në dhjetë e as në njëzet vendet e para në klasifikim, por megjithatë në klasifikimin e 90 vendeve miqësore bëjnë pjesë San Francisko, Portland, Siatëll, Uashington D.C., Los Anxheles, Boston, Nju Jork, Çikago dhe Detroit.
Qytetet më miqësore në botë për biçikleta – kryeson Utrecht, Holandë
Utrecht, në Holandë, kryeson renditjen e qyteteve më miqësore për biçikleta në botë. Sipas indeksit, rreth 51% popullsisë së qytetit janë çiklistë.
Qyteti i dytë në renditje është Münster, në Gjermani. Sipas indeksit, qyteti gjerman ka një shkallë të ulët të aksidenteve me biçikletë dhe merr vlerësim të mirë sa u përket ngjarjeve, pasi në të zhvillohen rregullisht aktivitete që nxisin përdorimin e biçikletës.
Antwerp në Belgjikë, renditet i treti. Sipas indeksit, qyteti port është një nga vendet më ekonomike për të blerë një biçikletë. Antwerp zotëron edhe një sistem “bike sharing” në të gjithë qytetin dhe ka rreth 4 mijë rrugë për biçikleta.
10 qytetet më miqësore në botë për çiklistët
1.Utrecht, Holandë
2.Munster, Gjermani
3.Antwerp, Belgjikë
4.Kopenhagën, Danimarkë
5.Amsterdam, Holandë
6.Malmö, Suedi
7.Hangzhou, Kinë
8.Bernë, Zvicër
9.Bremen, Gjermani
10.Hanover, Gjermani
/ CNBC