Zef N. Pali
Napoleon Bonaparti, i pyetun nji ditë, si do të mund tu reformote shteti i Francës, përgjegji: Filloni te nanat, në prehën të sajë trajtohen kombet.
Fjalët e luftarit të madh kjenë të vërteta, pse nana kje ajo që i dha prîjsit të Francës djelmosha punet e sakrificit, djelmosha të pajisun me ndjesí vllaznore e me nji egoizëm atdheje, djelmosha, të cilët nuk u tremben as para gjakut të sa njerëzve, as para ushtrive të mbarë botës
Faktori kryesorë edhe në kohët mâ të herëshme, që veproi mbí fëmín kje nana. E egër për natyrë, pse e pa gdhenun, shtini në zêmër të fëmijve dishirin për gjuetí e në tê formoi shpirtin e luftarit e të grabitqarit, zêmrën e egër e të pa mëshirë e e formoj kështu, pse e tillë kje jeta n’ato kohë. Mâ vonë si njerzija filloi me hî në zdrukthin e kohës, edhe shpirti i njerëzve ndryshoi. Mendimi me i mësue fëmijt me mendue vetëm për vedi filloi me u hapë, tue u shëndrrue pak ka pak në të menduemit edhe për tjerë, për familje, qytet të vet e mâ vonë për nji atdhe të ngushtë; kështu rrethi nisi me u zgjanue, ndjesít njerzore filluen me bâ hapat e para, e n’ato kohë, me gjithë se nana gjindej endè larg kuptimit që ka sot fjala nane, mbrriti me bâ djelm me ndjesí mâ të zhvillueme.
Spartanja, nanë trimneshë e gjysë barbare e bâte gadi fëmín e vet, edhe ndër kangët që i këndohen foshnjave, për nji luftar, e kur fëmija i rritun vraponte me ndigjue zanin e atdheut, që nana e kishte mësue me e ndî e me e ndigjue, shohim Spartanen kah, tue i dhanë mburojën krijesës, gjakut e jetës së vet, i ban zêmra me thanë: “O me këtê o mbi këtê”. N’at kohë në Spartë kje mendimi vetëm me formue luftarë, me formue njerëz, që barshin të vështirat e luftës, kje mendimi me harrue seicili vedin e me i’u kushtue krejt atdheut.
Në Greqi, të hershëme puna kje pak mâ ndryshe. Nana greke mâ e butë për natyrë, udhëzue prej ligjësh të posaçme shtetnore për nji kujdes mbí të rritunt e fëmijve e lëmue prej pupëls së sa njerëzve në zâ, të cilët çeshtjes s’edukimit i kushtuen vëzhgime, mundime, e fashikuj, rriti Grek me ndjesí mâ të thella jo vetëm kombëtare por edhe shoqnore e, prej prehnit të kësaj nane të kujdesëshme, dolën njerëz me famë në çdo degë, të cilët e bâne Greqin të pavdekshme.
Përveç këtyne që përfolëm edhe nana rromake nuk ndej mbrapa në historí të vet. Rromaku qysh i vogël mësoj prej gojës së saj me dashtë tokën e vet me e çmue e me i kushtue mundin e krahëve. Ndjesít e thjeshta e të papërdhosuna, që pat në fillesë, ia hapën sŷnin kah fusha te reja e i forcuen zêmrën e krahin; kështu gjejm rromakun, i cili në paqe kapë parmendën, në luftë shpatën, e kje që nëpër këto tokë të thjeshta gjet Roma prijsa ushtrijet, njerëz të naltë, të cilët atdheut i kushtuen jo vetëm mundin e djersën, por edhe jetën. Kështu u trajtue mbretnija rromake e, deri sa nana ndej zojë shtëpijet, e thjeshtë ndër doke e zakone të veta, brohoritë e fitimeve mbluen botën e atëhershëme, e cila mbetëte shtang kah shifte se si nji grusht burrash, tue mbajtë ndrŷ në zêmër virtyte e trimní, hapshin aq fort sundimin e tyne.
Por, nëpër të gjitha kohët, që u folën, njerzija, e ndame në klasa: rob e të lirë, nuk u zhvilluen nji soj. Pasaniku i lirë pat të drejtën e edukimit, të drejtën e zhvillimit me anë të shkollës, të librave e tjera, nësa robi ngujue nën themër të zotnís, ndei me vuejt jo vetëm trupnisht por edhe shpirtnisht.
Familija e robëve u desht të kishte veç nji qellim me i sherbye atij, që kishte në dorë jetën e të gjitha, e me formue njerëz, që t’i u përshtateshin sa mâ mirë kushteve që lypte robnija.
Në kët gjendje kaluen kohët si ujët nën urë. Me perëndimin e perandorísë romake nji mendim i rí edukate, predikue prej Krishtit: “Gjith njerzit janë njisoj” filloj me ndryshue faqen e kohës. Robët, tuj hapë sŷt çuditshëm si ata që prej errësinet dalin pa pritë në dritë, pyetën: “Jena të lirë!! Jena të gjithë njisoj!!” Doktrina e Krishtit, nonse luftue prej njerzish të përdhosun, në zêmër të cilëve ishin shue po thuejse të gjitha ndjesít morale e njerzore, mujti me fitue. Gjendja e padurueshme e nji robnís sê panatyrshme i dha krah hapjes së këtij institucjoni të rí, e me tê fytyra e botës ndryshoi jo vetëm në pikpamje tjera, por edhe në lamë t’edukatës.
“Gjithë njerzit janë njisoj”, parim i patundun, fjalë që vetë natyra shkroj në zêmër të seicilit. Prej këtij ndrrimi të papritun fuqítë e ndrydhuna të njerzimit filluen me u këndell, familja filloj me formue njerëz të lirë, nana e kuptoi se nuk âsht mâ robnesha e kurrkuej, se âsht nji pjestare e familjes, nji puntore, që do të drejtojë kah e mbara e e mira filizat e rí.
Kadalë kaloj koha për ata që e pritën nji ndrrim të tillë, por e shpejtë kje për ata që e panë.
Shkrimtarë të ndryshëm filluen me i’u vû me shpírt çashtjes s’edukimit e, tue lanë kohën e mesme, e cila pësoi përiudhën mâ të vështírë të transformimit njerzor nën parimin “Gjith njerzit janë njisoj”, shofim në kohë të ré filozofë e pedagogë, studjuesa teorijet e praktiket, humanista, naturalista e tjerë, të cilët i’u përveshën punës e tue luftue nëpër ide të ndryshme qitën në dritë, çka mbeti në terr për sa shekuj, formimin e njeriut të vërtetë. Por për me pasë njerëz të vërtetë u pa e nevojshme a mâ mirë me thanë e domosdoshme me pasë nji nanë të vërtetë që t’ia fillote së parit trajtimit, nji nanë me nji farë kulturet që të dite me udhëzue zhvillimin e fëmijs, nji nanë me nji dijeni e kuptim mbí veprën, që do të kryente, pajis me ndjesí të njimendta njerzore.
Shum kombe u naltuen e shum u përulën, veç pse nana kje në nji shkallë të naltë a t’ultë. Sot në nji pjesë bukur mirë të botës edukata e nanave njehet pikë kryesore. Me formue nana për me trajtue kombe: qe mendimim kryesor për çdo shtet; e, tue lanë në njenë anë nanat kryekcyeme, familja e të cilave âsht salla e ballos, e kujdesi për to tualeti e të zhigatunt, sot gjinden shum, që e kan kuptue çka don me thanë me kenë nanë.
Sa ta kënaqin sŷnin e zêmrën skenat e ndryshme, që çdo shetitës mundet me hasë ndër dhena të jashtme: nana me fëmíj për dore kah bisedon si me njí të madh, kah i spjegon e kënaqë kureshtín e natyrshme të fëmís. Prej nji kësaj nane fëmija ecë në nji udhë virtytesh ku drejtsija, bujarija ndihen për çdo gjâ të mirë a të keqe.
Nana, drejtuesia e fëmíjs prîn tue i’u bâ vetë shembull me vepra krijesës së vet kah çdo gja e mirë, e mbarë, e dobishme e e bukur e nëpër zêmra të të njomëve gdhenë me dorën e vet për herë të parë ndjesí të vërteta njerzore, ndjesí, që tue vijue nëpër nji udhë të mirë, bahen mure të patunduna ndër themele të palëkundshme.
Prej djelmve të dalun prej nanave të vërteta u trajtue në pak kohë Gjermania, preku lumnín Anglia, Franca e ndonji shtet tjetër, pse të gjithë u munduen me i dhanë krah formimit të nanave për me nxjerrë si në shpërblim formimin e kombit me djelmosha të vërtetë, djelmosha të zhvilluem në çdo pikpamje mendore, morale e fizike, djelmosha punet e flijet, të cilët interresat e familjes t’i vênë para atyne të vehtes e interresat e atdheut para çdo interrese tjetër.
Po nanën shqiptare, ku e gjejm të rradhueme në historí?
Që prej Ilirjanes së kohëve të vjetra deri në Shqiptaret e ditëve të soçme, nana shqiptare ka mbetë thuejse ajo që kje. E lidhun e e fortë prej natyre, rritë në nji vend ku dobsija e shëndetit përgjithsisht nuk njifet, i dha vendit burra të shëndoshtë e të shkathët. Burrnín që edhe ajo shkoj tue trashigue brez mbas brezi, nuk e mbajti për vedi, ia shtîni bashkë me gji edhe Shqiptarit. Virtytet e mira e të shëndoshta, që prej nartyre i lenë e i qendrune në shpírt të forta: ndera, bujaria, besniknia e të flijuemt i mori edhe Shqiptari e, në kjoftë se Marsh Uci na çuditë e na gëzon, të mendojmë se nji nanë shqiptare e gdhenun vetëm prej dorës së natyrës e rriti dhe ia fali Shqipnis.
Nana shqiptare qendroj me të vërtetë Shqiptare. Prej flalëve të saja Shqiptari mori guximin, prej veprave të saja pat trimnín, prej shembullit të saj bujarín e besën. Cila nanë, veç Spartanes ia fali atmes (atdheut) fëmín e vet?! Cila nanë krah për krah me djelmosha mori malin nëpër ferra, shkrepa e rreziqe veç me i dalë zot nji vendi trashigue prej të parësh e që i thojshin Shqipni?!!
Nana shqiptare, po, kje që thej rreshtat e anmikut, pse rriti djelmosha t’pajisun me ndjesí kombëtare, kjo kje që dha jetë kombit, pse prej gojës së saj nuk mungoj as në paqë fjala e nji virtyti thjeshtë shqiptár. Shqiptari mbet Shqiptar pse nana e veshi me karakterin shqiptar.
Atdheu i jonë pësoi shum, por tek e mbramja pau dritën e lirís; sot ky atdhe lypë formue me Shqiptarë në kuptim të plotë të fjalës e këta lypet t’i kërkojm prej prehnit të njasaj nane, që s’pushoj tue i falë Shqipnis burra fjalet, beset e punet.
Me formue nanat lypet të jetë mendimi i çdo njeriut, që ka për zêmër trajtimin e vërtetë t’atmes s’onë. Nana shqiptare gjithherë në tymin e luftave, në zjarmin e pashuem mbajti çka të mirë trashigoi prej të parëve. Sot duhma e atij zjarrmi katër shekullor nuk na trazon mâ, e nana shqiptare âsht tue vijue udhën.
Tham duhen formue nanat, por nuk do me thanë se atëherë do të na mbushet sŷni se kemi nana të formueme, kur të hidhet në njenë anë vesha që barten të parët tonë, nuk do të thonë se kemi me pasë nana të vërteta, kur ti shofim gjysë zbulue nëpër salla a mbledhje, tue ndjekë nji mode a nji tjeter, kur ti shofim tue u endë lirisht poshtë e përpjetë: kena me pasë nana të vërteta, kur ideja e nji familjes si duhet ka me kenë mendimi kryesor i seicilës nanë. Sa keq të vjen sot, kur i ndollë njerit me ndí sa nana, që me nji zâ të shkyem brimet largojn fëmijt vedit, u kshillojn rrugën për me i kthye rehatin shpís, kur fëmija i vogël në vend të fjalëve të virtytit nuk ndín tjeter veç të grindje e bisedë, që lëndojn shpirtin e nji të rritshmi jo mâ të nji të vogli. Sa të prishet zêmra kur në familje fëmija, në vend që me mârrë zêmër për punë të mira e të mbara, i shmanget udhës së virtytit. Edukatën e parë që merr fëmija prej s’amës e ruen për tanë jetën e, kur atmja, shoqnija e familja të presin me u forcue ndër shtylla të reja, ndër filiza të rí, ndër Shqiptarë të vërtetë, me idhnim të zêmres ndoshta nuk kemi me pasë çka me zgjedhë. Nji pakicë njerzish të formuem prej nanave të njimendta nuk e trajtojn nji komb, vepra e nanës lypet të përgjithsohet, lypet të hapet në çdo ânë.
Duhen formue nanat për m’u trajtue kombi! Shkolla, luftare e s’keqes e që ndër ne sot përpiqet me mbjéllë të mirën, duhet t’orvatet me na dhânë nana me nji kuptim të plotë për jetë, me nji mendim të vetëm: me formue familjen shqiptare. Virtytet e ndjesít që i mungojn Shqiptares duhen së parit t’i shtihen në formë kuptimi e, si të kalohet ky prak, të bâhen gjâ e rëndomët prej përdorimit të përditshëm. Virtytet e ndjesít e mira që Shqiptarja prej natyrës trashigoi, duhen forcue e ushtrue, se nji herë po u prishën virtytet e mira, ndjesít e pastra e të natyrshme e karakteri shqiptár, që na dallon prej çdo kombi, atdheu mâ s’ka çka pret, dyert e s’keqes kan me kenë hapë e fjala e virtytit ka me u dukë nji utopí.
Shqiptarja do të nxâjë prej shkollës, së pari çka i nevojitet për me kenë nanë e vërtetë, me çka duhet me kenë pajís për me ia mbrritë formimit të nji familjes; Shqiptarja do të nxajë si i falen kombit Shqiptarë të shkathët e të shëndoshët, të squet kah mendja, të fortë kah shpirti.
Formimi i nji familjes me nana të vërteta ka me na dhânë lumnín që dishrojm; rrymët e këqija të prishjes së vendit e të hupjes së lirísë nuk kan me pasë fryt.
Të formojm nanat e familjet në daçim me mbetë gjithherë Shqiptarë, pse si thotë Spencer: “Gjatë kohëve familja ka kenë para shtetit; edukata e fëmijve âsht e mundshme edhe pa kenë shteti e, po humbi shteti, do të mundet me u ndërtue vetëm me anë t’edukimit të djelmve”.
Nanë shqiptare, ti që i fale atdheut nji Lekë, nji Skanderbé, nji Pirro e sa të tjerë, shpërvjeliu punës, ndij zanin e nji kombi, që pret ndihmë prej tejet. Prej prehnit tand pret Shqipnija energji të reja, ti njitja krahin, ti fali djelm si duhet. Jepi vendit t’and të shkallmuem prej robnijet djelm të dêjë për emnin Shqiptár. Të nxân prej buzve t’ueja: sa gjâ e mirë âsht me ndjekë udhën e virtytit, sa gjâ e madhe me kenë apostuj të së vërtetës, sa gjâ shejte me bâ flî vehten për të mirë të njeni tjetrit. Shkruej edhe ti me vepren t’ande në historí t’edukatës hapin e parë të përparimit e me te jepi shkas trajtimit të nji kombi. Shqipnija ky vend i vogël pret me lulëzue prej tejet e ti, si kreshnike mos ja mohò punën tande, por si ndër kohët mâ të rrezikshmet formove Shqiptarë me ndjesí të flakta për nji atme të shkelun, kështu sot formò Shqiptarë të vërtetë për nji Shqipni të lirë.