Amir Zukic, një ish-politikan i lartë në Bosnje është dënuar me tre vite burg nga një gjykatë në Sarajevë. Ish-zyrtari i lartë i partisë në pushtet, u dënua për veprën penale të korrupsionit, dy vjet pasi u shpall non-grata nga Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Zukic, një ish-sekretar i përgjithshëm i Partisë Boshnjake të Veprimit Demokratik në pushtet, ose SDA, u shpall fajtor për ryshfet dhe përdorimin e lidhjeve politike në vitin 2016 për t’u dhënë punë në institucionet shtetërore njerëzve të caktuar.
Gjykata Komunale e Sarajevës më 29 korrik dënoi katër persona të tjerë me burgim deri në gjashtë vjet dhe liroi dy persona, po për këtë rast.
Safet Bibiq u dënua me gjashtë vjet dhe Senad Trako u dënua me 1 vit e gjysmë burg. Ramiz Karavdiq u dënua me dy vjet burg, Esad Dzananovic u dënua me tre vjet, ndërsa Nedzad Trako dhe Asim Sarajlic, i cili gjithashtu është në listën e SHBA-së, u liruan nga akuzat.
Gjyqi ishte pjesë e përpjekjeve të mbështetura nga Perëndimi për të frenuar ryshfetin në vendin ballkanik, i cili po përpiqet të rimëkëmbet ekonomikisht nga një luftë etnike shkatërruese e viteve 1990. Vendimet mund të apelohen, shkruan Radio Europa e Lirë.
Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2020 e ndaloi Zukic të hyjë në Shtetet e Bashkuara për përfshirjen e tij të supozuar në “korrupsion të rëndësishëm”.
Bosnja mbetet e paqëndrueshme dhe e ndarë etnikisht më shumë se një çerek shekulli pas përfundimit të luftës etnike 1992-95 që vrau më shumë se 100,000 njerëz. Perëndimi dëshiron të kundërshtojë përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin e saj në rajon.