Mbas njoftimit për emërimin e Ballukut zv/kryeministre dhe shkarkimin e Ahmetaj si nr 2 të qeverisë, Kryeministri Rama, po në Twitter ka njoftuar ndryshimin tjetër.
Rama ka shkarkuar nga detyra si kryenegociator Zef Mazin, në vend të tij ka emëruar kryenegociatore dhe ministre shteti pranë kryeministrit Majlinda Dhukën.
Postimi i tij në Twitter:
“Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.
Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka,një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit” njofton Rama.
Majlinda Dhuka është juriste me një eksperiencë rreth 20 vjeçare në sektorin publik dhe në angazhimin si lektore në universitete.
Ajo ka mbajtur dhe postin si drejtore për Politikat e Zhvillimit dhe Financimet e Ndihmës së Huaj në Kryeministri.