Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç i ka kërkuar policisë që të hetojnë kërcënimet që ka marrë.
Sipas tij kjo ka ndodhur pas arrestimit të djalit të Zoran Lazoviçit, Petar Lazoviçit një zyrtar i lartë.
“Zyrtari i arrestuar i ANB-së Petar Lazoviç ka problem me ligjin. Kjo, shpresoj, është e qartë për të gjithë ata që duan që unë të ngulmoj me kolegët e mi në misionin e krijimit të një shteti ligjor, nga i cili nuk do të heq dorë as edhe një milimetër, pavarësisht kërcënimeve, toneve ekstremiste, gjuhës së urrejtjes”, tha Abazoviç.
“Por nuk ka asnjë skenar në të cilin “dora e drejtësisë” do të ndalet. Përkundrazi, përpjekjet për sabotim, tonet ekstremiste, gjuha e urrejtjes apo kërcënimet janë të kota. E di që kjo shkakton zhgënjim për shumë njerëz, por ne kemi treguar se Mali i Zi po ecën në rrugën e lirisë dhe nuk ka vend për kartelet e drogës, kontrabandistët e cigareve apo elitën e korruptuar”,u shpreh ai.