Studiuesi dhe poeti Rexhep Shahu e sjell poezinë‐ profeci të Genc Lekës, shoqëruar me një foto, ku shfaqet poeti Shahu me gurët e mbetur të shtëpisë së poetit të pushkatuar.
Ja shënimi i Rexhep Shahut:
Kaq gurë kanë mbetur nga shtëpia e dikurshme e poetit Genc Leka në Bërzeshtë, të cilin e pushkatoi partia dorë për dore me poetin Vilson Blloshmi 45 vjet më parë.
Ja poezia e Gencit për shtëpinë:
Genc Leka
** *
Kur në dritare rri me mall
Me lulet e saksisë,
Më shfaqen si vegim, përballë
Gërmadhat e shtëpisë.
Pastaj më ngjan sikur bën zë
E ndrojtur fëminia,
Që fle mes gurësh përgjithnjë
Me ëndrrat e mia.