DY TRUPA
Dy trupa ballë për ballë
nganjëherë janë dy valë
dhe nata është oqean.
Dy trupa ballë për ballë
dy gurë janë nganjëherë
dhe nata shkretëtirë.
Dy trupa ballë për ballë
nganjëherë janë rrënjë
të lidhura natën.
Dy trupa ballë për ballë
nganjëherë janë thika
dhe nata vetëtimë.
Dy trupa ballë për ballë
janë dy yje që bien
në një qiell të zbrazët.
DEGA
Në majë të pishës këndon
një zog që ka ndaluar,
mbi cicërimën e tij dridhmon.
Shigjetë nga dega ngrihet,
midis flatrave zhduket
dhe në muzikë shkrihet.
Zogu si një ashkël hidhet,
e verdhë nota e tij
në këngë i gjallë po digjet.
Hap sytë: nuk ka asgjë.
Heshtje mbi degën e thyer,
mbi degë zogu s’është më.