Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli më dt 14 korrik vendimin për shkarkimin e prokurorit Ludovik Dodaj, pasi kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, sa i përket pagesave për një apartament në zonën e plazhit në Durrës.
Dodaj u zgjodh në tetor 2021 si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mbasi ishte konfirmuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në qershor të vitit 2020.
Vendimi i konfirmimit u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa.
Pas një sërë seancash, trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me kryesuese Natasha Mulaj, relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, vendosi të pranojë ankimin dhe prishë vendimin e Komisionit. Mulaj në leximin e vendimit tha se vendimi i KPK u gjet i drejtë në kriteret e figurës dhe profesionalizmit, por shumica e trupës doli në përfundimin se Dodaj kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.