Prej nji jete, politika asht pagëzue me emnin e profesionit ma të vjetër në botë! E, në fakt, duhet besue se ajo çdo vit e ma tepër dëshmon se e tejkalon në gjithçka atë profesion… Por që të mos jetë krejt ‘bundër’, pse nuk u dashka dikush me dal nga rrjeshti, nga lloji, nga lëtyra, nga maskarada që asht instalue në krijimin e forcave politike?!
Tjetërsimi i qënies në momentin që nis e merret me politikë, kryesisht në ktë vendin tonë-peng, thuajse asht i pashmnagshëm! Thuajse asht legjitim! Mue, realisht, prej dekadash mu ka krijue ideja se njerzit që merren me politikë lindin të trasnformuem në karakter, por ma vonë kam mendue se ata nuk lindin, ama janë të gatshëm!
E pranoj edhe faktin e domosdoshmërisë me u duk, me mbijetue, me pasë nji të ardhun të mirë ekonomike, me ba vetë jetë luksi me plot të mira materiale rreth e rrotull e masanej, me u shfaq sikur nuk iu intereson hiç se ç’a thonë dynjaja… sidomos kjo e jona që shkon mas tyne pa grimën e dinjitetit…
Pra me vetëdije, qenia politike shqiptare s’ka dert hiç se si ngjitet në majë, por mjafton të jetë në majë … duhen admirue për kurajon dhe pranimin e çdo vetpërdhosjeje në këtë të pozicionit ku i vendos transformimi…
Po, në tanë këtë vetërrënim genetik dhe të pafre, si asht e mundun që mos me mendue nji herë të vetme se në ktë dreq zanati prej hajnizimi, duhet pas edhe pak burrni, fare pak! Bahet fjalë për ate grimë që të veçon, që të ban me rujt pak dinjitet, pak karakter, pak identitet…
Si asht e mundun që me kanë politikan duhet patjetër e me çdo kusht me lëpi atë që pershtynë; mos me qëndrue 24 orë në ni fjalë (se për ide s’bahet fjalë, lavdi Zotit); mos ma thanë nji herë jo, mos me dal nji herë kundra, mos me u bind deri në zhbindje thelbësore; mos me e kondiderue armik atë që flet keq për ty publikisht, që vjell vrer, që reshtohet në krahun e së keqes etjjjj?
Veç nga pak prej ktyne cilësish a s’mundet me e pas qenia që merret me politikë?! Kush iu tha që asht e pamundun?! E mbi të gjitha: kush dreqin iu ka msue se politika nuk ka nevojë për pak burrni, dinjitet e ideale, sidomos kur në lojë jane fatet e vendit, Atdheut e Kombit?