Mbas një kohe të gjatë heshtjeje, ka reaguar me një status në rrjetet sociale Lulzim Basha, ish kryetar i Partisë Demokratike.
Duke marrë shkas nga arrestimet e djeshme të disa drejtuesve të lartë të policisë, për rastin e “vrasjes elektorale” në Elbasan, ndodhur në prill të vitit 2021, Basha shkruan se Edi Rama e ka përdorur policinë për krime elektorale.
Postimi i plotë i tij :
Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në masakrën zgjedhore të 25 prillit.
Para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën.
Asnjë ushtar politik i sotëm apo i djeshëm i Suel Çelës nuk mund të manipulojë të vërtetën e kësaj ngjarje, ku policia dhe krimi u bënë bashkë për të blerë vota dhe që fatkeqësisht çoi në viktima.